NAZMI SEITAJ, RINGJALL SHOKËT E TIJ MARTIRË TË POEZISË –

Qysh kurse jam njohur me fatin tragjik të tyre, nuk e di se me kë mund t`i krahasoja jetët dhe veprat e dy poetëve martirë, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Ndoshta me atë të Josif Brodskijt që ja nxiu jetën policia e fshehtë sovjetike (KGB-ja) dhe atë të Osip Mandelshtamit, poezinë e të cilit Ahmatova, e quante të një harmonie hyjnore. Sa herë më binte rruga andej nga Librazhdi, ndaloja tek ai grupi skulpturor me dy kokat e tyre që klithnin, dhe sepse më dilte para syve ajo pllaka e mermertë në varrin imagjinar të Starokuncit, ku fare thjeshtë dhe po aq madhërishëm shkruhej: “Kujtimit të ndritur të O. E. Mandelshtamit”.

E dija se edhe dy poetët tanë të pushkatuar më të rinj se ata, nga stalinistët barbarë shqiptar, ishin mjaft të talentuar, disidentë dhe apostuj të lirisë dhe ndofta nuk kishin nevojë për fjalë të tjera. Por ja që isha gabuar. Rasti e solli që një njeri dhe shkrimtar i mrekullueshëm, Nazmi Seitaj, më solli disa libra të tijat dhe midis tyre: “Ngadhnjimi i shpirtit”, kushtuar dy miqve të tij të ngushtë, Gencit dhe Vilsonit. Ai thosh se aty kishte kujtime dhe tregime, por jo; u ndodha para një romani të jashtëzakonshëm, i cili zbulonte edhe një cilësi tjetër të tyre, qenien “fanar intelektual”, sikurse shprehej për Mandelshtamin, nobelisti Brodskij. I botuar në vitin 2007 nga “Globus R”, e Petraq Ristos, çuditem sesi është heshtur ndaj një vepre të tillë letraro – artistike dhe sidomos historike.