Në vitin 1892 një grup i spikatur berlinezësh në jetën shoqërore të qytetit i propozuan kaiserit gjerman, hapjen e një ekspozite ndërkombëtare për të promovuar Berlinin si një metropol me përmasa botërore. Të tilla panaire apo ekspozita, shpjegonin ata gjatë dëgjesës së tyre para këshillit perandorak, ishin mbajtur në Paris, Londër, Vienë apo dhe në Filadelfia. Por megjithatë pasi artistët më të famshëm të Berlinit mbaruan diskutimin, Kaiser Wilhelmi II-të, të cilit i ish dërguar ky propozim fillimisht disa muaj më parë, shkruan David C. Large në librin e tij “Berlin”, nuk e pranoi atë me arsyetimin se, Berlini nuk ishte ende gati për të nisur këtë betejë të re promovuese cilësisht. Sipas tij, Berlini mbetej ende një qytet jo plotësisht i transformuar në shijet e tij për të mirëpritur një panair kaq të madh.



Kjo dëshirë për ta paraqitur veten si në kornizë bashkon pezullinë e akuariumit, në të cilin gjërat duket sikur i nënshtrohen një dekompozimi shumë të ngadalshëm, gati- gati të përjetshëm, me kaosin e një fushe beteje, por të një beteje ama mes objekteve të vlefshme dhe atyre të kota. Është koha kur prusianizmi do të shndrrohej në simbolin e nostalgjisë së një jete me kuptim dhe me stil përkundrejt babelit bashkëkohor të një jete të shformuar dhe absurde të lënë më në fund pas.
Quhet Grunewaldturm. Është një kullë, e kthyer në një monument historik që shtrihet diku në anën perëndimore të pyllit me të njëjtin emër, në Berlinin jugperëndimor. Ndërtimi i saj filloi aty nga viti 1897 dhe zgjati rreth dy vjet. E projektuar nga Franz Heinrich Schwechten, një prej arkitektëve më të njohur gjermanë të epokës Wilhelmiane i cili pat kontribuar gjithashtu në progresin e arkitekturës historike, Grunewaldturm, është rreth 56 metra e lartë mbi lumin Havel. Në vitin 1897 bashkia e Teltovit, në rajonin e Brandenburgut, kërkoi ndërtimin e një kulle historike në përkujtim të ditëlindjes së 100-të të perandorit gjerman Wilhelm I-rë. Më 9 qershor 1899, ajo nisi rrugëtimin e pelegrinazhit përkujtimor me mbishkrimin “Kulla e perandorit Wilhelmi i I-rë ”, edhe pse në fasadën lindore të saj lexon “Në kujtim të mbretit Wilhelm i I-rë”, sepse ai ishte edhe mbret i Prusisë. E projektuar në epokën e revolucionarizimit të tullave gotike, Grunewaldturm nis në hyrje të saj me një sallë jo fort të madhe, në mes të së cilës gjendet një statujë mermeri e Wilhelm të I-rë, ndërtuar nga skulptori Ludvig Manzel. Gjermanikët, kisha lexuar kohë më parë se ishin kopracë kur flitej për administrimin e markës së tyre, por prej vizitave në muzetë dhe këndeve të tjera historike rrotull landeve të kësaj toke, kupton se përmasat luksoze të artit vërtet mund të mos i kenë pasur si ato të Rilindjes Europiane por kënaqësitë cfarë shpirti u ka kërkuar duket që si kanë kursyer asfare. Katër relieve hekuri me figurat e shtetarëve prusianë si Albrecht von Roon, Helmuth von Moltke, Otto von Bismarck dhe Princi Frederik Charles janë vendosur në muret e saj. Prej aty ngjitja prej shkallares në stilin gotik drejt lartësisë të con në një platformë, prej së cilës shtrihet një pamje panoramike mbi pyllin Grunewald. Diku pranë kullës, aty poshtë syri të kap një restorant dhe përbri një kopsht birre të tundon drejt lëshimit të lirë të vetes prej aromës së majasë që vjen nga poshtë. Por kjo vetëm një fluturim casti sepse magjia që rrezet e diellit të sjellin ndër sy, kur petku i mëndafshtë i lumit Havel është përballë teje të rrëmben pa kuptuar dhe gjithë gjindja jote i dorëzohet ajrit mbi gjelbërimin përkedhelës të Grunewaldit magjepsës. Kjo kullë historike e ndërtuar edhe me shqisën e mirë për të ngacmuar muza poetësh në fund të shek. XIX-të, të kujton dhe frymën përparimtare mbi ndjenjën kombëtare të shprehur prej mendimtarëve më të mëdhenj të së kaluarës gjermanike të asaj epoke, të cilët mbetën kundërshtarë të thekur të cdo lloj shovinizmi por të hapur miqësisht ndaj botës mbarë. Kur i kthehem historisë kujtoj se kjo nismë e tyre nuk ishte kaq individuale në të vërtetë. Familja perandorake ishte vazhdimisht e shqetësuar për zhvillimet shoqërore ndaj ajo u kërkonte shkrimtarëve gjermanë apo dhe mendimtarëve të luanin një rol etiko-politik mjaft të nevojshëm asokohe. Kish nisur kështu lufta për ndjenjën e bashkimit kombëtar gjerman por dhe për paqen në tërësi. Luftrat me fuqinë ruse e kishin lodhur jo pak perandorinë prusiane.
Grunewaldturm, është një vend që të zgjon prej leximeve të ngjarjeve prej të cilave ajo është menduar të projektohet. Anijet që përshkojnë lumin Havel diku poshtë teje të bëjnë të ëndërrosh larg sepse ky vend duket të jetë një festë e garantuar për disa orë ose për aq kohë sa sikush prej nesh dëshiron të qëndrojë. Prej andej ëndërrimet nuk mbarojnë këtu. Sepse vendasit urtësisht sugjerojnë shëtitjen nëpër pyllin epik si ata e quajnë dhe pastaj autobusin me numrin e brishtë ‘218’ por me emrin e bukur ‘Dream Liner’ për tu kthyer në qytet. Ndoshta sepse pa dyshim, ky është dhe udhëtimi më i bukur me autobus në Berlin.
/AlpeNews.al/


