Kryeministri Edi Rama do të jetë sot në selinë e NATO-s bashkë me detajimin e projektit për ngritjen e bazës ushtarake në qytetin bregdetar të Durrësit.
Rama pritet të takojë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me qëllim që t’i thellojnë bisedimet për bazën e NATOs në Durrës. Pas takimit, Kryeministri dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp. Në qendër të bisedës mes tyre pritet të jetë porti ushtarak i Porto Romanos, kur vetë kreu i qeverisë ka njoftuar për instalimin e një baze navale të NATO-s në Portin e ri të Durrësit që do të jetë në Porto Romano. Parashikohet që ky projekt të financohet nga shteti shqiptar dhe NATO.
Qeveria shqiptare kërkon që të ndihmohet financiarisht nga aleanca për këtë nyje ushtarake në Detin Adriatik, por ende nuk ka një shifër konkrete se sa mund të kushtojë ndërtimi i një kalatë, e cila të kënaqë të gjitha nevojat ushtarake të NATO-s. Ky projekt ka të bëjë me instalimin e një baze detare të NATO-s në portin e ri të Durrësit në Porto Romano, sipas të cilit ka ngjallur shumë interes dhe dëshirë. Mësohet se projekti fillestar parashikon që kjo zonë ushtarake brenda portit tregtar të Durrësit të zërë një sipërfaqe prej 50 ha, ndërsa vetë kalata të ketë një kapacitet prej 800 metër linear, me një thellësi 13 metër në mënyrë që të mund të ankorohen dhe luftanije të mëdha.
Ndërtimi i kësaj baze është diskutuar dhe në samitin e fundit të NATO-s nga Kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, çka mësohet se ideja nuk ka kaluar pa vëmendje. Kjo është dhe arsyeja përse u dakordësua për takimin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO dhe kreut të qeverisë shqiptare. Nëse do të realizohej ky projekt, do ta kthente Porto Romanon në një pikë kyçe ushtarake për lidhjen mes Europës Lindore dhe asaj Perëndimore. Baza do të mundësonte dhe stërvitje ushtarake të forcave të NATO-s të përmasave të Defender 2021, stërvitja më e madhe e forcave ushtarake të drejtuar nga SHBA me pjesëmarrjen e ushtrive të disa shteteve e zhvilluar në Detin Adriatik. Vizita është paralajmëruar edhe më herët nga Kryeministri Rama.
“Së shpejti besoj që do të rikthehemi në Bruksel për të vazhduar diskutimin lidhur me propozimin tonë që ka ngjallur jo vetëm interes, por edhe dëshirë për të thelluar bisedimet për instalimin e një baze navale të NATO-s në portin e ri të Durrësit. Në portin e ri që do të jetë në Porto Romano dhe përveç pjesës komerciale tregtare, parashikohet që të ketë edhe një pjesë ushtarake. Së shpejti do të bëjmë një takim të posaçëm për këtë çështje me gjithë ekipin tonë të ekspertëve dhe ekspertët e aleancës për të parashtruar projektin në detaje dhe për të vijuar më tutje diskutimet”, deklaroi para disa ditësh Kryeministri Rama. Aktualisht në Shqipëri po ndërtohet baza taktike ajrore e NATO-s në Kuçovë. Përveç krijimit të një baze të re të NATO-s në Shqipëri, mes tij dhe shefit të NATO-s pritet të diskutohet dhe rreth situatës së krijuar nga agresioni rus në Ukrainë dhe koordinimit të bashkëpunimit mes aleatëve. Në fund të takimit pritet dhe një konferencë e përbashkët.
Bazë detare e NATO-s në Durrës, media britanike: Shqipëria, paralajmërim Putinit
“Shqipëria i ka dërguar një sinjal paralajmërimi Presidentit rus, Vladimir Putin, para takimit me NATO në lidhje me një bazë detare në vend”. Kështu e nis shkrimin e saj media britanike “Express” pas lajmit që bëri publik Kryeministri Rama për një bazë navale të NATOs në Porto Romano. Të hënën (11 korrik) “Express” i ka bërë jehonë takimit të Kryeministrit Edi Rama dhe Sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, që pritet të zhvillohet të mërkurën ku do të diskutohet edhe propozimi. “Lëvizjet e fundit panë që Shqipëria, një anëtare e NATO-s që nga viti 2009, filloi punën për shndërrimin e një baze ish-sovjetike në një bazë ajrore të NATOs, duke forcuar lidhjet e Tiranës me Brukselin. Rama do të takohet me Stoltenberg të mërkurën e kësaj jave për të diskutuar projektin pas një njoftimi më 1 korrik”, shkruan “Express”.
Porti do të vendoset në Porto Romano të Durrësit. Express shkruan se parashikohet që ky projekt të financohet nga shteti shqiptar dhe NATO. “Në Maj, Rama tha se qeveria e tij ka ofruar bazën detare të Pashalimanit për NATO-n”, shkruhet më tej. Kjo bazë ishte e vetmja e Bashkimit Sovjetik në Mesdhe gjatë viteve 1950, kur Shqipëria komuniste ishte e lidhur ngushtë me Moskën. Por pas rënies së komunizmit, baza e Pashalimanit u rindërtua me ndihmën e Turqisë, e cila ruajti të drejtën e përdorimit të saj. Marina shqiptare e përdor sot bazën për disa operacione dhe stërvitje.
Denoncimi, PD: Në Porto Romano, afera më e madhe korruptive
Partia Demokratike denoncoi dje se pas projektit për vendosjen e një porti ushtarak në Porto Romano fshihet një nga aferat me të mëdha korruptive. PD njoftoi dje se porti ekzistues mijëravjeçar do zhvendoset sipas një marrëveshje të Kryeministrit me një kompani nga Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila “në kundërshtim me çdo rregull, do marrë 1 milion metra katrorë territor të portit ekzistues të Durrësit”. Garo shtoi se PD dëshiron të informojë NATO-n, se qëllimi i vërtetë është spostimi i portit ekzistues tregtar dhe ushtarak mijëravjeçar të Durrësit për në Porto Romano. “Prapa idesë së portit ushtarak të Porto Romanos të Edi Ramës, fshihet njëra nga aferat më të mëdha korruptive të kohës: Spostimi i portit ekzistues tregtar dhe ushtarak mijëravjeçar të Durrësit për në Porto Romano.
Ky spostim bëhet pas një marrëveshjeje të Edi Ramës me El Amar, president i një kompanie në Emiratet e Bashkuara Arabe, për t’i dhënë kësaj kompanie, në kundërshtim me çdo rregull, 1 milion metra katror territor të portit ekzistues të Durrësit. Sipas Ramës ky do të jetë truall për ndërtime si në Dubai City. Kjo marrëveshje, në të cilën dyshohet se Kryeministri dhe politikanë të tjerë shqiptarë, kanë interesa direkte, është jotransparente dhe korruptive”, informoi zëdhënësja e PD—së, Floriana Garo. PD shpreh shqetësimin për qëndrim të hapur antidemokratik ndaj lirisë së shtypit, të padenjë për Kryeministrin dhe qeverinë e një vendi anëtar të NATO-s.
Gjithashtu, Garo bën me dije se: “Shqipëria është sot njëri nga prodhuesit kryesorë të kanabisit në botë. Sivjet parakaloi në prodhimin dhe trafikun e kësaj droge, Indinë dhe Iranin. Përveç kësaj, Shqipëria është rrugë kryesore e trafikut të heroinës nga lindja drejt Europës. Ajo po bëhet çdo ditë e më shumë qendër e rëndësishme e trafikut të kokainës nga Amerika Latine. Pavarësisht nga kjo gjendje tejet problematike me prodhimin dhe trafikimin e drogës, Edi Rama ka përgatitur dy ligje të rrezikshme për vendin: -Ligjin për legalizimin e kanabisit, gjoja për qëllime mjekësore, dhe; Ligjin për amnistinë fiskale, për legalizimin kryesisht të parave të drogës dhe krimit, me të cilat ai përkeqëson edhe më tej problematikat e lidhura me drogën dhe trafikun e saj dhe rrezikon sigurinë e Shqipërisë dhe të Aleancës, për shkak të bashkëpunimit potencial të grupeve te trafikantëve me grupet terroriste. Partia Demokratike shpreh edhe një herë mbështetjen e plotë për Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe bashkëpunimin e gjithanshëm të Shqipërisë me të”.
Ky reagim vjen një ditë pasi Rama pritet të takojë Stoltenberg, ku ka sqaruar se qëllimi është për të thelluar bisedimet për bazën e NATOs në Durrës. Ky projekt ka të bëjë me instalimin e një baze detare të NATO-s në portin e ri të Durrësit në Porto Romano, sipas të cilit ka ngjallur shumë interes dhe dëshirë.


