Ai ishte në arrati për 13 ditë dhe tani vrasësi i dyshuar, Fisnik Hoxha, është gjurmuar nga hetuesit në zonën e Ruhr në Gjermani. Një task-forcë speciale e arrestoi atë të dielën pasdite në Gelsenkirchen.
Mediat gjermane shkruajnë se gjatë arrestimit, i riu me origjinë shqiptare nuk ka bërë rezistencë ndaj forcave të rendit. Pas vrasjes ai u shpall në kërkim ndërkombëtar pasi autoritetet gjermane i druheshin arratisjes së tij për në vendin e tij të lindjes. Ende nuk dihet se ku ka qëndruar i riu për dy javë menjëherë pasi kreu krimin.
NGJARJA
Një burrë u qëllua për vdekje në lagjen “Gaarden” të Kielit të hënën në mbrëmje pak para mesnatës së 27 qershorit. Pas krimit të rëndë, autoritetet gjermane shpallën në kërkim të riun shqiptar, banues po në këtë qytet. Sipas Prokurorisë Publike në Kiel, rreth orës 23:15, një person i panjohur më parë ka qëlluar disa herë mbi një 31-vjeçar në rrugën Gustav-Schatz-Hof.
Ai vdiq në spital pavarësisht përpjekjeve të menjëhershme të mjekëve për ta shpëtuar atë. Sipas hetimeve të mëparshme të prokurorisë publike dhe policisë kriminale të Kielit, 23-vjeçari Fisnik Hoxha ishte i dyshuari kryesor për krimin. Sipas prokurorisë publike, shqiptari nuk ishte i pajisur me leje për armë dhe kishte vepruar me dashje. Një zëdhënës i Policisë tha dy ditë më vonë se për gjetjen e të riut ishte kërkuar ndihma e publikut, duke ofruar edhe shpërblim prej 3000 eurosh për informacione që çojnë në arrestimin e autorit.
THIRRJA
Policia u bënte thirrje banorëve që të mos flisnin me të dyshuarin nëse e shihni, pasi i riu mund të ishte i armatosur, megjithatë ai nuk konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë për banorët lokalë. Një zëdhënës i Departamentit të Policisë në Kiel njoftoi se skena e hapur e krimit ishte kontrolluar nga disa njësi policore. Ende nuk dihen motivet e krimit të rëndë që i mori jetën 31- vjeçarit me origjinë turke dhe banues në Gjermani


