Deputetja e PD, Jorida Tabaku, duke folur sot në Kuvend për aktin normativ që u jep kompensim kompanive që ndërtojnë vepra publike, tha se “të gjitha kompanitë kanë lidhje në një mënyrë apo tjetrën me qeverinë”.
Tabaku akuzoi qeverinë se ka dhënë “18.6 milionë euro nga paratë e rindërtimit për kompani, persona që janë nën hetim nga prokuroria” dhe se me këtë akt normativ “kujdeset t’u sigurojë fitime që mos t’u mungojnë të ardhurat që çmimet e rritura t’ua kompensojë”.
“Ky është korrupsioni në nivelin më të lartë si sot nga korrupsioni i banaqeve ka kaluar në korrupsionin politik ku kompani të caktuara kërkojnë mbështetje e sjellin këtu rritje buxheti për to ndërkohë që ky nder favor nuk i jepet as grupeve në nevojë as pensionistëve askujt nga ata që sot janë duke përjetuar rritjen e çmimeve që është dyshifrore”.
Lidhur me amnistinë fiskale, Tabaku u shpreh se FMN ka rekomanduar të mos miratohet.
“Qeveria nxjerr për diskutim amnistinë fiskale që në parim amniston këdo që ka gënjyer e shkelur ligjin dhe bën zero vlerën e këtij parlamenti, bën zero këdo që ka qenë i ndershëm para ligjit e ka paguar taksa këto 9 vite, edhe të rritura. Amniston evazorët duke përfshirë dhe kompaninë e inceneratorëve dhe jep krahë që në të ardhmen të vazhdojnë ta gënjejnë shtetin”.
Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj në përgjigje të deklaratave të Tabakut tha: “Kur gënjeshtrat thuhen me kostum edhe qytetarët mund t’ i përjetojnë. Sot qeveria shqiptare ka dhënë paketën më të ulët të ndihmës më pak se Maqedonia dhe Kosova. E njëjta gjë ndodhi edhe me pandeminë kur qeveria shqiptare dha një paketë ndihme 1% të prodhimit të brendshëm bruto. Si mundet ta kthejmë qeverisjen në dobi të qytetarëve. Ka muaj që ka nisur rritja e çmimeve ndërkohë që gënjeshtrat me kostum thonë që nuk janë rritur çmimet. Qytetarët shqiptarë kanë nevojë për një qeveri të përgjegjshme”.