Janë zbardhur detaje të reja lidhur me atentatin me armë zjarri ndaj 30-vjeçarit Arben Bekteshi në lagjen ‘Skënderbej’, të qytetit të Elbasanit.
Mësohet se shënjestra e atentatit, mbi makinën e të cilit Ermal Matishi qëlloi 7 herë me armë, është vëllai i Enea Bekteshit. Ky i fundit aktualisht ndodhet në burg, pasi është arrestuar për ngjarjen e rëndë ndodhur më 18 shtator të vitit 2017 në tregun Agroushqimor të Elbasanit.
Asokohe u përplasën me një makinë tip ‘Audi’ efektivët e policisë, të cilët ishin pjesë e një aksioni të rëndësishëm për të goditur një nga grupet kriminale në Elbasan.
Kur ndodhi ngjarja mbrëmjen e 18 shtatorit, Enea Bekteshi ndodhej bashkë me Kelmend Xhaferrin dhe Suel Çelën në mjetin “Audi” të blinduar, që i shkoi drejt makinës së zv.drejtorit të Policisë së Elbasanit, Gjergj Oshafi në Lagjen “Dyli Haxhire”.
Enea Bekteshi deklaroi asokohe para trupit gjykues ishte trembur nga të shtënat dhe nuk e ka kuptuar që goditi makinën e policisë.
Pavarësisht tentativës për t’u shfajësuar Bekteshi ka pranuar se ka qenë ai shoferi i “Audit” të blinduar, por ka rrëfyer se për pak mund të mos ishte dhe gjallë.
“Kam qenë shofer i Audit A8. Nuk kisha qëllim të godisja mjetin e policisë. Nuk e kuptova që ajo që godita ishte makinë e policisë. U tremba nga të shtënat, doja vetëm të largohesha. Për pak gjë edhe mund të mos isha gjallë”, ka deklaruar ai.


