Dënimi me vdekje i dy ushtarëve britanikë dhe një marokeni nga një gjykatë e separatistëve pro rusë Republikën e vetëshpallur Popullore të Donetskut, ka zënë prej ditësh titujt e parë të mediave britanike, por jo vetëm.
Ndërkohë që për ushtarët britanikë qeveria e Britanisë është angazhuar në plotësi, duke përfshirë këtu edhe kryeministrin Boris Johnson, për shtetasin maroken nuk ka shumë detaje.
The Guardian ka sjellë sot dëshminë e babait të ushtarit maroken.
Ai është shprehur se djali i tij duhet të trajtohet si rob lufte pasi ai është një shtetas ukrainas që është dorëzuar vullnetarisht.
Kujtojmë se Brahim Saadoun, 21 vjeç, dhe dy britanikë, Aiden Aslin dhe Shaun Pinner, u kapën ndërsa luftonin për Ukrainën dhe u shpallën fajtorë për “veprimtari mercenare dhe kryerjen e veprimeve që synonin marrjen e pushtetit dhe përmbysjen e rendit kushtetues” të Repubklikës së Donetskut.
Miqtë dhe familja e Saadoun kanë bërë thirrje për lirinë e tij, duke i thënë The Guardian se ai ishte një ushtar aktiv dhe jo një mercenar, siç pretendohet.
Babai i tij, Tahar Saadoun, tha se djali i tij mori shtetësinë ukrainase në vitin 2020 pasi iu nënshtrua një viti trajnimi ushtarak si një kërkesë për të hyrë në studimet e teknologjisë së hapësirës ajrore në një universitet në Kiev.
“Saadoun u dorëzua vullnetarisht dhe duhet të trajtohet si i burgosur lufte. Ne si familje vuajmë mungesën e kontaktit me avokatin për të shkëmbyer informacione ligjore dhe kjo na shton kalvarin e vuajtjes”, është shprehur ai.


