Policia e Shtetit thotë se përgjatë fundjavës që lamë pas, janë konstatuar automjete me shpejtësi gati trefishi sa i normës së lejuar në rrugët e kryeqytetit, dhe deri në dyfishin e normës së lejuar në rrugët interurbane.
Mësohet se kontrollet me makinën inteligjente janë kryer në rrugët e kryeqytetit dhe në rrugët interurbane Tiranë–Durrës-Tiranë dhe Tiranë-Elbasan–Tiranë.
Për dy ditë, janë pezulluar 104 leje drejtimi dhe janë vendosur 159 gjoba për tejlakim të shpejtësisë mbi normën e lejuar, por pa sanksionin plotësues.
“Nga përpunimi i fotove dhe video-ve të realizuara nga makina inteligjente, është konstatuar se 57 drejtues mjetesh përdornin edhe celularin gjatë drejtimit të mjetit, ndërsa 61 drejtues nuk kishin vendosur rripin e sigurimit.
Gjithashtu, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Njësinë Operacionale të Drejtorisë së Policisë Rrugore, janë konstatuar shumë parakalime të gabuara, gara shpejtësie e shkelje semafori. Drejtuesit e mjeteve, që kanë kryer këto manovra të rrezikshme në rrugë, janë ndëshkuar me masa administratve që varionin nga 30.000 lekë të rinj deri në 90.000 lekë të rinj”, bën me dije policia.


