Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve në lidhje me miratimin e kandidaturës së gjeneral major Bajram Begaj për postin e presidentit të ri të vendit, çka do të kalonte më tej kandidaturën për votim në Kuvend, Oerd Bylykbashi ka pasur kritika në lidhje me dokumentacionin i cili është vënë në dispozicion të anëtarëve.
Ai u shpreh se ishte e domosdoshme që të kishin në dispozicion një CV të plotë, në mënyrë që të vërtetohej ose hidhej poshtë për shembull pretendimi se për një periudhë të caktuar, zoti Begaj kishte qenë pjesë e Ministrisë së Brendshme.
“Na mungon një CV e detajuar për aktivitetin e kandidatit për president. nuk është thjeshtë çështje për të parë datën e lindjes dhe as raporte nga shërbimet e tjera, duhet të shohim për çfarë po votojmë për president.
Duhet të ishte dokumentacioni i plotë pasi do të na shërbente për të parë fakte të tjera si psh ka qënë pjesë apo jo e Ministrisë së Brendshme në një moment të caktuar. Këto kanë të bëjnë më vlerësimin e deputetëve për kandidaturën, ajo që na mungon është dekreti i presidentit, relacioni juaj nuk mjafton.
Solemniteti i kësaj seance nuk është një shqyrtim që bën sekretaria, por ne, komisioni. Më vjen keq që thoni se duhet të konstatojmë vetëm kushtet bazë. Është detyrë e jona të shohim nëse përputhen edhe kushtet e tjera. Është nëse kandidatura ka ndonjë moment papajtueshmërie apo pazgjithshmërie. Ushtarakët e shërbimit aktiv e kanë të ndaluar të kandidojnë për çdo lloj posti tjetër.
Jemi përpara nevojës për të verifikuar dhe nuk kemi dokumentin e dekretit.
Dua të ndalem, edhe po të shihni raportin flisni për gjeneral major Begaj, nuk kam asgjë në planin personal. Duhej një CV për të kuptuar sa i përshtatshëm është për këtë post. Jo çdo 40 vjeçar është i përshtashëm të jetë president.
Thoni çfarë të doni, por unë do them çfarë të dua unë. Është parim kushtetues që duhet të jetë jo vetëm ndarje, por edhe kontroll mbi ushtrinë, fakti që kryeministri e ka kthyer procesin e emërimit të presidentit në një moment
Ky kandidat, deri më sot, ka qenë maja e FA, një papajtueshmëri e pastër me Kushtetutën. Asnjë lloj truku dhe asnjë lloj veprimi nuk mundet të shmangë këtë përplasje me këtë parim themelor, që ushtarakët nuk mund të ushtrojnë funksione, përfshirë Presidentin, sepse është ndalim kushtetues. Është antikushtetueshmëri, e për rrjedhojë kjo e bën me ves këtë kandidaturë dhe procesin e votimit në seancën. Mundet ta kishit bërë krejt ndryshe. ”, është shprehur ai.
Bushka: Po përsërisni, duhet të flasin dhe kolegët.
Bylykbashi: Mund të flasin kolegët një për një dhe ju duhet t’i respektoni. Po flasim këtu për presidentin dhe nuk mund ta nxjerrim si një fotografi në mur. Është e panevojshme që presidenti të ketë një njollë, kushdo qoftë. Është zgjedhja që ka bërë kryeministri, që ju të turreni e të bëni 37 firma, ende pa e ditur kush do të ishte kandidat. Dekreti i nxjerrë në momentin e fundit nuk e shëndosh këtë situatë antikushtetueshmërie. Ju mund ta vendosni këtë gjë, por parimi që kërkon Kushtetuta është se ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të kandidojnë. Ky zotëria ka qenë deri tani oficeri më i lartë i shërbimit ushtarak. Në emër të PD, ne e votojmë kundër këtë kandidat, sepse po bëni kapjen finale të të gjitha pushteteve, duke bërë çmos që të shmangeshit nga detyrimi kushtetues që të kërkonit konsensus, zgjodhët këtë proces, që ndër të tjera ju fut në këtë antikushtetueshmëri. Për këtë, ne japim votën kundër.
Bushka: Retorika politike është zgjedhja juaj. Qëndrimi politik është zgjedhja juaj, e gjykojnë shqiptarët. Ne vlerësojmë kriteret kushtetuese e ligjore. Mund ta kishit kursyer analizën e ndarjes së pushteteve, sepse me dekret të Presidentit të Republikës, kandidati për President, z. Bajram Begaj, propozuar nga 37 deputetë të PS, është liruar nga detyra e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA. Në këto kushte ky dekret ka hyrë në fuqi menjëherë.


