Reagimi i ashpër i AMA-s:

Ajo që për fat të keq ka ndodhur në një familje, nuk mund të amplifikohet mediatikisht duke nxitur spirale të urrejtjes dhe hakmarrjes, të cënimit të personalitetit.

Ligji 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, duke përcaktuar parimet themelore për veprimtarinë e transmetimeve audiovizive, saktëson dhe se operatorët, gjatë zhvillimit të veprimtarisë së tyre duhet të respektojnë dhe garantojnë të drejtën e ruajtjes së jetës private dhe të mos lejojnë transmetime që nxisin intolerancën ndërmjet shtetasve (neni 4, pika 2/d dhe 2/dh).

Po kështu në nenin 33, ku flitet për detyrimet e subjektit të licencuar, duhet që, “të mos cenojë dinjitetin dhe të drejtat themelore të njeriut; të respektojë rregullat e etikës dhe moralit publik dhe të mos transmetojë programe që mund të nxisin vepra penale; të mos cenojë të drejtën e fshehtësisë së jetës private të individit në çdo program të transmetuar nga OSHMA-të dhe mjetet e përdorura për të realizuar këto programe.

Ndaj dhe AMA kërkon nga redaksitë mediatike respektimin e kërkesave ligjore, për të evituar qarkullimin e përmbajtjeve të tilla të papërshtatshme, që nuk respektojnë të drejtat e njeriut dhe nxisin intolerancë. Po ashtu fton çdo media/OSHMA që e ka publikuar videon të heqë nga mjetet e saj të informimit ato pamje të rënda të cënimit të dinjitetit njerëzor.
Autoriteti i Mediave Audiovizive