Lija e majmunit është një tjetër sëmundje infektive që po përhapet në Evropë që nga fillimi i muajit maj, si fillim në Britani, Portugali, Spanjë dhe në Itali.
Ditën e djeshme u dha alarmi për një rast të dyshimtë edhe në Greqi, duke e sjellë sëmundjen shumë pranë nesh.
Përhapja ka ndezur alarmin, sepse sëmundja virale, e cila përhapet përmes kontakteve të ngushta dhe është zbuluar për herë të parë në majmunë, shfaqet kryesisht në pjesën perëndimore dhe qendrore të Afrikës, dhe nuk ka pasur raste të përhapjes në vende të tjera. Lija e majmunit është një virus që shkakton simptoma të etheve, si dhe shfaq gunga në trup.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka dalë me një listë informacionesh për sëmundjen mbrëmjen e së shtunës, ku jepen detajet dhe sqarimet e fundit, të nxjerra nga profesionistët shëndetësorë të OBSH-së. Deri më sot, asnjë rast me këtë infeksion nuk është regjistruar në Kosovë apo në Shqipëri.


