Banorët e Rinasit kanë bllokuar ditën e sotme rrethrrotullimin pranë aeroportit “Nënë Tereza”, në shenjë proteste pas kthimit me një sens lëvizjeje të këtij aksi.
Kjo është dita e tretë e protestës, ndërsa banorët kërkojnë që vendimi i ARRSH të anulohet, pasi është duke shkaktuar shumë problematika në aktivitet e tyre të përditshme.
Ata shprehen se për të dërguar fëmijët në shkollë tani u duhen 2 orë kohë, ndërsa shtojnë se kanë të pamundur aksesimin e qendrave mjekësore, marketeve apo dhe varrezave.
Kesaj proteste sot i jane bashkuar edhe femijet, te cilet nuk kane shkuar dot ne shkolle dhe u jane bashkuar prinderve per te kerkuar kthimin e rruges me dy sense si me pare.
“Kjo është mos me t’lon me shku te shpia. Është rast unik, jam 50 vjeç e se kam dëgjuar ndonjëherë këtë. ARRSH s’ka pyetur asnjë para vendimit, jemi zgjuar në mëngjes dhe kemi parë tabelat bllokuese. Kemi protestuar në qendër më parë, sot kemi dalë tek rrethrrotullimi dhe do qëndrojmë çdo ditë këtu sepse s’kemi çfarë bëjmë. ARRSH nuk ka pasur asnjë reagim”, shprehet qytetari.
“Nuk kemi pasur komunikim me zyrtarët, por kemi ndjek mediat, dhe një version që drejtori i ARRSH foli për rrugë alternative, ne do ta shohim atë mundësi, por ne nuk kemi si të hyjmë me atë lloj rruge, ajo nuk është zgjidhje. Këtu penalizohen jo vetëm tre fshatra, por dhe gjithë qytetarët e veriut që i drejtohen aeroportit. Ne nuk shkojmë dot te toklat tona bujqësore, nuk çojmë dot fëmijët në shkollë, nuk shkojmë dot në qendrat shëndetësore”, shprehet kryeplaku i zonës.
“Dje me premtuan nga kontakte konfidenciale, se do kishte një zgjidhje, por kur dëgjuam përgjigjen e ARRSH për rrugën alternative, por nuk zgjidh gjë kjo”, deklaroi ai.


