Dritan Abazoviç është nga sot kryeministri i shtatë i Malit të Zi, por i pari kryeministër shqiptar i shtetit të vogël ballkanik.
Qeveria e pakicës me kryeministër Abazoviç u zgjodh këtë të enjte, më 28 prill, në Kuvendin e Malit të Zi në Cetinje me 45 nga 81 vota. Tre përfaqësues të socialdemokratëve votuan kundër.
Por kush është Dritan Abazoviç?
36-vjeçari u lind në 1985 në Ulqin në një familje shqiptare, familja Abazi. Pas përfundimit të shkollës fillore dhe të mesme në Ulqin, Abazoviç vijoi studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës ku u diplomua dhe kreu doktoraturën në vitin 2019. Studimet të tjera Abazoviç i kreu në Norvegji dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pasi u kthye në Malin e Zi, Abazoviç nisi fillimisht punën si mësues në një gjimnaz të Ulqinit, më pas do të drejtonte televizionin Teuta për dy vitet e ardhshme.
Abazoviç është drejtues u partisë URA (United Reform Action; Aksioni i Përbashkuar për Reforma).
Abazoviç e flet shumë mirë gjuhën shqipe, por për zhgënjimin e shumë shqiptarëve, ai nuk shquhet për ndjenja patriotike. Madje shumë nuk kanë ngurruar ta quajnë si “tradhëtar” për shkak të deklaratës së tij në një emision televiziv ku tha se nëna e heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit, ishte serbe. Më pas ai do të reagonte duke sqaruar deklaratën dhe kërkuar ndjesë.
Për serbët, Abazoviç është një histori dashuri-urrejtje. Dikur politikanët pro-serbë të Malit të Zi por dhe disa në Beograd e mbështetën politikanin e ri shqiptar që në mediat serbe paraqitej si hero dhe mbrojtës i gjuhës e serbëve të Malit të Zi. Ky raport do të ndryshonte thellësisht pas përplasjeve të Abazoviç me partinë pro-serbe të Malit të Zi Fronti Demokratik.
Abazoviç është tashmë kryeministri i tretë shqiptar në Ballkan, pas atij të Shqipërisë dhe Kosovës. Maqedonia e Veriut mbetet i vetmi shtet me një numër të konsiderueshëm shqiptarësh, 29.52% sipas censusit të 2022, që nuk ka patur kurrë një kryeministër shqiptar.


