Negociatorët nga Parlamenti Evropian dhe 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje të shtunën, 23 prill, e cila detyron platformat si Facebook, Twitter dhe Google që të menaxhojnë përmbajtjen e dëmshme, sikurse gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e ka përshkruar marrëveshjen si “historike”, e cila do të ketë shtrirje përtej Evropës.
“Rregullat e reja do të mbrojnë përdoruesit online, do të sigurojnë liri të shprehjes dhe mundësi për bizneset”, ka thënë ajo përmes një postimi në Twitter.
“Një sinjal i fuqishëm për njerëzit, bizneset dhe shtetet në gjithë botën”. Kjo marrëveshje përbën hapin më të madh të bllokut evropian në këtë fushë në 20 vjetët e fundit.
Marrëveshja nënkupton që kompanitë duhet t’iu shmangen përmbajtjeve të dëmshme siç është dezinformimi për koronavirusin, si dhe duhet të prezantojnë protokolle për të bllokuar përhapjen e materialeve të rrezikshme gjatë krizave sikurse pandemia.


