Të përballesh me një hajdut brenda shtëpisë është gjithnjë e rrezikshme, por një burrë nga Berati u përball me të birin e tij.
Ngjarja e pazakontë është regjistruar në lagjen “Uznovë” të qytetit, ku 20- vjeçari, Emrah Liço, pasi ka vjedhur disa orendi në shtëpinë e babait të tij, madje ka tentuar ta vrasë atë me anë të një thike. Por, ky nuk ishte rasti i vetëm grabitjeve të 20-vjeçarit, i cili gjatë së hënës nuk kurseu as banesën e babait të vet.
Ai rezulton të ketë kryer edhe pesë vjedhje të tjera duke filluar nga muaji mars e në vijim.
Operacioni i koduar “Porositësi” bëri që forcat e rendit ta prangosnin, duke zbuluar edhe një sërë ngjarjesh të tjera të vjedhjeve në qytetin e Beratit.
“Gjatë hetimeve të kryera dhe provave të grumbulluar, rezultoi se autor i dyshuar i këtyre vjedhjeve është shtetasi Emrah Liço, 20 vjeç, banues në lagjen Uznovë, Berat, i ndaluar ditën e djeshme, pasi kishte tentuar të godiste me mjet të mprehtë babanë e tij, të cilit i kishte vjedhur disa orendi shtëpiake.
Shtetasi Emrah Liço, gjatë 3 muajve të fundit, ka kryer vjedhje në banesa dhe automjete të ndryshme, si dhe ka vjedhur sendet personale të një shtetasi”, bën me dije Policia.
OPERACIONI I DYTË
Nëse 20-vjeçari kishte kryer një sërë grabitjesh brenda pak javëve, një 40- vjeçar po në Berat ishte kthyer në tmerrin e pronarëve të automjeteve pasi “zhvishte” makinat e tyre nga pajisjet e jashtme e madje edhe nga karburanti në serbator. Aleks Dhimitri u prangos në kuadër të operacionit të koduar “Elektroaut”.
“Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe për kapjen dhe arrestimin e autorëve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Berat, në bashkëpunim me Njësinë Operacionale në DVP Berat, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Elektroaut”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Aleks Dhimitri, 40 vjeç, banues në fshatin Lapardha, Berat.
Nga hetimet e kryera dhe provat e grumbulluara dyshohet se ky shtetas është autor i 9 vjedhjeve të ndodhura gjatë muajit mars dhe prill të këtij viti. Ky shtetas vidhte targat e automjeteve, karburant dhe aksesorë të tjerë të automjeteve”, sqaron policia lokale.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjetet që autori përdorte për të kryer vjedhjet, si dhe disa nga sendet e vjedhura. Në të njëjtën kohë, policia lokale po zhvillon hetim për të zbuluar nëse dy të arrestuarit janë përfshirë edhe në vjedhje të tjera në zonë. Materialet hetimore ndaj tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.


