Një zyrë noteri shpërtheu në flakë në orët e para të mëngjesit të sotëm në Lezhë, ndërsa u dyshua për zjarr-vënie të qëllimshme.
Megjithatë, pronari i zyrës, noteri Vasil Martini e hodhi poshtë këtë pistë duke thënë se ai nuk ka konflikt të hapur me asnjë person. Ai tha se për zjarrin është njoftuar me telefon dhe se si pasojë e flakëve dëmet në zyrë janë të mëdha.
“Jam njoftuar në orën 4:00 të mëngjesit se kishte zjarr në zyrën time. Kam ardhur me vrap, kam njoftuar zjarrfikëset dhe kam ndërhyrë për të shuar zjarrin. Si rezultat i flakëve, zyra ka pësuar disa dëme shumë të mëdha. Dua të komunikoj përmes jush me qytetarët e Lezhës dhe të gjithë klientët e mi, që kanë marrë shërbim në zyrën time se i gjithë dokumentacioni është i ruajtur, i siguruar dhe i rikuperueshëm në masën 100%. Zyra është e formatuar sipas ligjit për noterinë.” tha Martini ndërsa shtoi se është herët për të folur për shkaqet e flakëve në zyrë.
“Është shpejt për të folur për shkakun e zjarrit është detyrë e organeve kompetente. Unë kam për detyrë të garantoj qytetarët se çdo akt në zyrën time është i sigurtë dhe do rikuperohet sapo zyra të jetë funksionale.”- shtoi ai.


