Kafka dhe mbetjet kockore të gjetura pasditen e së dielës në Fushë-Kuqe të Kurbinit janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë.
Ekspertët e Policisë kanë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe në pamje të parë, dyshohet se kafka i përket ndonjë të riu që mund të ketë humbur jetën gjatë 10 viteve të fundit.
Për të zbuluar diçka të tillë do të verifikohet e gjithë lista e personave që rezultojnë të zhdukur, përfshirë dhe një 16-vjeçar nga Mamurrasi, zonë e cila ndodhet afër vendit ku u gjet kafka dhe mbetjet kockore.
ANALIZAT
Familjarët e Mariglen Gjonajt do të jenë të parët që do t’u merret ADN-ja për të bërë krahasimin, ndërsa ekzaminimet do të përcaktojnë nëse kemi të bëjmë me vrasje apo personi në fjalë mund të ketë gjetur vdekjen për shkaqe natyrale.
Adoleshenti rezulton i zhdukur që prej muajit maj të vitit 2015. Familjaret kishin denoncuar rastin në Polici, duke deklaruar se ditën që ka humbur kontaktet djali i tyre ka pasur me vete një orë të shtrenjtë “Rolex”, si edhe disa bizhuteri, të cilat kapnin vlerën e 1 milion lekëve të rinj.
Pavarësisht veprimeve që janë kryer përgjatë 6 viteve, nuk është arritur të bien në gjurmët e të riut. Kafka dhe mbetjet kockore u pikasën nga një banor, në një zonë me ferra dhe shkurre 30 metra larg rrugës që lidh Fushe-Kuqen me Adriatikun. Ai ka njoftuar Policinë në lidhje me rastin dhe blutë u vunë menjëherë në lëvizje, duke kryer të gjitha veprimet hetimore në vendin e ngjarjes.
Ferrat dhe shkurret ku u gjet kafka dhe mbetjet kockore ishte përfshirë nga flakët e zjarrit 10 ditë më parë, e që prej asaj kohe në zonë kishte nisur të ndjehej aromë e rëndë, duke shqetësuar banoret, të cilët i kanë shtëpitë e tyre 200 metra më larg.
HISTORIA
Nxënësi i klasës së 10-të në Gjimnazin e Mamurrasit, Mariglen Gjonaj, kishte shkuar si çdo ditë tjetër në shkollë më 18 maj. Por, ai nuk u kthye në orarin e zakonshëm dhe as në darkë, çka ka vënë në alarm familjen e tij. Ata bënë disa javë më pas denoncim në Polici, por ndonëse kjo e fundit nisi hetimet, ende nuk ka asnjë të dhënë për gjurmët e të riut.
Ditën që adoleshenti u largua nga banesa për në shkollë nuk kishte marrë as telefonin me vete. Nëna e tij, Luljana Gjonaj, i bën apel shtetit ta ndihmojnë për të gjetur të birin. “Djali është zgjuar në mëngjes dhe më tha se kishte aktivitet atë ditë shkolla e tij.
Mori dhe makinën e vëllait të tij dhe doli. Më tha se do të vij shumë shpejt. Ka qenë data 18 maj kur ai është larguar dhe nuk është kthyer. Kërkuam gjithë natën, duke pyetur njerëzit tanë për të, por me asnjërin ai nuk kishte pasur kontakte dhe nuk e kishin parë.
Të nesërmen, kemi njoftuar menjëherë Policinë dhe kemi bërë edhe denoncimin për humbjen e djalit”, u shpreh në atë kohë për mediat nëna e 16-vjeçarit.
Sipas saj, si fillim Policia u vu në lëvizje, por nuk mundën që të bien në gjurmët e të birit dhe më pas dita-ditës kjo çështje po harrohej prej tyre.
“Djali kur është larguar ka pasur bizhuteri dhe një orë tepër të shtrenjte në dorë ‘Rolex’, të cilat kapnin një vlerë 10 milionë lekë të vjetra. Unë dyshoj se djalin ma kanë rrëmbyer për t’i marrë bizhuteritë. Kemi shkuar disa herë në Polici, por mua më ka humbur besimi te blutë e Kurbinit, pasi djali ka dy muaj i humbur dhe ne nuk e dimë nëse ai është gjallë apo vdekur”, tha ajo.


