Mediat italiane kanë bërë publik emrat e dy vëllezërve shqiptarë të cilët humbën tragjikisht jetën mëngjesin e së shtunës në zonën e Chessa në Itali.
Ata janë Mersin e Aklen Myftarago, 38 dhe 44 vjeç. Dy vëllezërit jetonin prej vitesh në Arcille dhe punonin në bujqësi. Mersini kishte dy fëmijë dhe bashkëshortja e tij ishte shtatzënë me të tretin, ndërsa Alkeni kishte 3 fëmijë.
Vëllezërit Myftarago kishin dalë herët nga shtëpia, si zakonisht, por në orën 06:30 jeta e tyre u ndal në rrugën e Chessa.

Ata u përplasën me një tjetër makinë që drejtohej po nga një shqiptar, 28-vjeç, i cili mbeti i plagosur. Mediat fqinje shkruajnë se nga përplasja e fortë, një prej viktimave përfundoi jashtë mjetit.
Vëllezërit Myftarago gjetën vdekjen në vendin e ngjarjes.
Për ngjarjen e rëndë reagoi edhe kreu i komunës së Campagnatico. Ai tha se do të bënte gjithçka për t’u ardhur në ndihmë dy familjeve të viktimave.


