Në kuadër të operacionit policor të koduar “Transaksionet”, u bë ekzekutimi i vendimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në ngarkim të shtetasit Stivens Alku, alias Geralf alias Serxho Kadriu, 34 vjeç, banues në Tiranë.
Të dhënat janë bërë publike nga vetë Policia, e cila ka njoftuar se personi i shënjestruar është një person me precedentë të theksuar kriminalë në fushën e trafikut të drogës në vendet e Bashkimit Europian.
I riu që sipas Policisë rezulton i dënuar në Holandë dhe në Gjermani pretendohet se iu përket disa episodeve që lidhen me trafikun e kokainës mes këtyre dy vendeve edhe ku është ndaluar.
Referuar të dhënave zyrtare, vlera e pasurisë së vënë në sekuestro kap shifrën e 2 milionë eurove, ndërkohë që Policia thotë se ky person kishte aksione edhe në një shkollë fillore, po pa e specifikuar se ku bëhet fjalë fiks.
Janë të dhëna të shumta që Policia ka sjellë për të riun miliarder, por Policia jonë deri më tani nuk tregon ndonjë precedent të tij në vendin tonë. Veç pasurive të shumta, bie në sy që i riu, ishte i fiksuar pas makinave që lidhen me numrin 5.
Ndër katër automjetet e vëna në sekuestro, tre janë “X5” dhe “Q5”.
POLICIA
Policia bëri me dije se një pasuri me vlerë rreth 2 milionë euro është sekuestruar nga Policia në Tiranë, e cila dyshohet se vinte nga veprimtari kriminale. Pasuritë, e luajtshme dhe të paluajtshme, janë në posedim 34-vjeçarit S. A, por që njihej edhe me emra të tjerë.
Sipas të dhënave, janë sekuestruar 2 ullishte në Sauk, 4 makina dhe 20% e aksioneve në një shkollë fillore private, një vilë dhe truall në Palasë dhe një vilë në Paskuqan. Mësohet se personi që i zotëron këto pasuri është me precedent të theksuar kriminal, sipas të dhënave hetimore.
Ai është ndaluar në vitin 2009 me 1 kg kokainë në Gjermani, e po për drogë është ndaluar edhe në vitin 2016. Në 2019-n ai është ndaluar me 200 mijë euro cash, duke hyrë nga Gjermania në Holandë. Në zbatim të vendimit të Gjykatës u bë sekuestrimi i pasurive të luajtshme e të paluajtshme, vlera e të cilave shkon rreth 2 milionë euro.
Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që ky shtetas dhe familjarët e tij mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.
Kështu, do të jenë organet ligjzbatuese që do të bëjnë verifikimin e të gjithë këtyre pasurive, verifikim që do t’i nënshtrohen edhe i ati, vëllai dhe njerëz të afërt të tij.
I riu me origjinë nga Dibra bëhet me dije që ka lëvizur në moshë të re jashtë vendi dhe se ai është ndaluar edhe me shuma të majme cash, teksa lëvizte mes shteteve në të cilat jetonte dhe vepronte.
LLOJI I PASURIVE TË SEKUESTRUARA:
• Pasuri (Vilë Elitare) me sipërfaqe totale ndërtim 363.8m2, se bashku me një sipërfaqe trualli prej 1040m2, ndodhur në Palasë, Himarë Vlorë;
• Pasuri e llojit ullishte, me sipërfaqe 400 m2, ndodhur në Sauk Tiranë;
• Pasuri e llojit ullishte sipërfaqe 900 m2, ndodhur në Sauk Tiranë;
• Pasuri (vilë) me sipërfaqe 100m2 ndodhur në e Paskuqan Tiranë;
• Pasuri e llojit apartament, me sipërfaqe 64 m2, ndodhur te “Rruga Elbasanit”, Tiranë;
• 20% të kuotave të një subjekti;
• Automjeti i markës “BMW X5”;
• Automjet i markës tip “Audi Q5”;
• Automjet i markës “Land Rover”, model “Range Rover EVOQUE”;
• Automjet i markës “BMW X5”.


