Ditën e djeshme SPAK kërkoi nga Kuvendi të lejojë arrestimin e deputetit socialist Alqi Bllako, i cili akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre me inceneratorin e Fierit, ku përfitoi mbi 14 milionë lekë. Kësaj kërkese Kuvendi iu përgjigj me mbledhjen e Këshillit të Mandateve sot në orën 18.00. Pak orë më vonë pas kërkesës që SPAK i dorëzoi Kuvendit, Alqi Bllako përmes një reagimi në rrjetet sociale ka deklaruar se do të dorëzojë mandatin e deputetit për të qenë i hapur për hetimet e drejtësisë. Nga dita e djeshme dhe deri më sot në Kuvend ende nuk është paraqitur asnjë kërkesë e Bllakos për lënie të mandatit.
Burime nga Kuvendi thonë për Report Tv se do të pritet deri në orën 16.00, që është dhe orari zyrtar i administratës, për marrjen e kërkesës nga Bllako për lënie të mandatit. Report Tv është përpjekur të kontaktojë deputetin Alqi Bllako, por numri i tij i telefonit rezulton i fikur
Në pikëpyetje mbetet mbajtja e mbledhjes së Këshillit të Mandateve, pas statusit të vetë Bllakos për të dhënë dorëheqjen. Vetë Bllako nuk ka asnjë detyrim të jetë prezent në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ndërsa mbetet e paqartë nëse Këshilli i Mandateve do të mblidhet në orën 18.00 siç ishte parashikuar. Megjithatë burime bëjnë me dije se deputetët e PD kërkojnë që të zhvillohet mbledhja edhe nëse Bllako e dorëzon mandatin për t’u njohur me përbërjen e dosjes e për rrjedhojë të kërkojnë që të vendosen para drejtësisë edhe zyrtarë të tjerë për çështjen e inceneratorëve.
Nga ana tjetër Report Tv është interesuar edhe në SPAK, të cilët kanë informuar se nuk kanë asnjë ndryshim axhende dhe do të jenë në kryesinë e Kuvendit në orën 18.00 për zhvillimin e mbledhjes.
“Do jemi në Kuvend në orën 18.00 për ne nuk ka dorëheqje në rrjetet sociale, por të njoftohemi zyrtarisht nga parlamenti”, thotë SPAK.
Heqja e mandatit të deputetit socialist do i hapë rrugë drejtësisë për vënien e tij në pranga. Nuk dihet nëse lënia e mandatit të deputetit përmes rrjeteve sociale është taktikë që Alqi Bllako të shmangë llogaridhënien para deputetëve në Këshillin e Mandateve dhe prokurorëve të SPAK, edhe pse ai nuk e ka detyrim të jetë prezent në mbledhje.
Bllako akuzohet nga SPAK të përfshirë në aferën e inceneratorit të Fierit, ku dyshohet se ka kryer veprime të kundërligjshme duke përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar 111 564 m2 , për inceneratorin e Fierit, duke paraqitur si “tokë truall”, ndërkohë që rezulton e provuar se prona është “tokë arë”. Gjithashtu Bllako akuzohet se ka favorizuar shoqërinë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të shumës prej rreth 15 milionë lekësh të reja.


