Dhjetëra-mijëra rusë janë larguar nga vendi që kur Moska pushtoi Ukrainën një muaj më parë. Shumë nga ata që e kanë bërë këtë, kanë raportuar marrje të pakëndshme në pyetje – dhe të paligjshme – teksa kalonin përmes kontrollit të pasaportave në Rusi.
“Kur u largova nga Rusia, nuk isha i sigurt se po bëja gjënë e duhur”, tha 28-vjeçari Artyom Saprykin, një specialist i teknologjisë së informacionit (IT) nga Ufa, kryeqytet i rajonit të Bashkortostanit të Rusisë. “Tani, jam i sigurt”, shtoi ai.
Më 15 mars, Saprykin u largua nga Rusia e presidentit Vladimir Putin për në Armeni, një nga dhjetëra-mijëra rusët që kanë lënë atdheun e tyre që nga pushtimi i Ukrainës nga Moska më 24 shkurt.
Për shembull, Qeveria e Gjeorgjisë ka thënë se më shumë se 30,000 rusë kanë mbërritur atje që kur filloi lufta; Turqia raportoi se më shumë se 14,000 rusë u zhvendosën atje në tri javët e para pas fillimit të luftimeve.
“Arsyeja kryesore”, i tha ai Radios Evropa e Lirë, “ishte të kuptuarit se Rusia nuk ka të ardhme. Unë e kuptova këtë shumë kohë më parë, por megjithatë vazhdova ta shtyja marrjen e vendimit. Por, me fillimin e luftës, unë e kuptova që situata në vend ishte shumë më e keqe nga sa mendoja”.
Që nga pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt, shumë rusë që emigruan raportuan përvoja të pakëndshme derisa kalonin kontrollin e pasaportave për t’u larguar nga vendi.


