Këshilltari i Presidencës ukrainase, Mykhailo Podolyak, bëri të ditur të shtunën se bisedimet me delegacionin e Federatës Ruse po vazhdojnë përmes video-lidhjes.
“Janë krijuar nëngrupe të posaçme të punës. Qëndrimet e Ukrainës janë të përcaktuara nga direktivat e mëparshme”, shkroi ai në Twitter.
Që prej nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt, delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë janë takuar tri herë në Bjellorusi, ku kanë diskutuar për armëpushim dhe hapjen e korridoreve humanitare.
Edhe pse disa herë janë hapur korridore humanitare, Kievi ka akuzuar Moskën se ka shkelur marrëveshjet e armëpushimit dhe ka sulmuar caqe civile.
Të shtunën, autoritetet e mbrojtjes së Ukrainës raportuan për shtatë të vrarë gjatë evakuimeve nga një fshat në afërsi të Kievit. Ukraina tha se forcat ruse hapën zjarr teksa një konvoj me gra dhe fëmijë po tentonin të largoheshin.


