Policia e Pogradecit vijon operacionin “Basti i fundit”, për goditjen e informalitetit, aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit dhe shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla.
Arrestohet pronari i lokalit që kishte përshtatur ambientin e tij për të organizuar lojëra fati pa leje dhe për përdorimin e lëndëve narkotike, në pranga dhe 4 të tjerë.
Në vijim të operacionit policor të koduar “Basti i fundit”, strukturat për Hetimin e Krimit në DVP Korçë, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, kanë goditur një tjetër rast në drejtim të informalitetit, aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit dhe shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Dorjan Dervishaj, 40 vjeç, banues në fshatin Hudënisht, Pogradec; Fredi Balliu, 30 vjeç, banues në Pogradec; Markeljan Adri, 30 vjeç, banues në Çërravë, Pogradec, Orgito Xhydollari, 18 vjeç, banues në Hudënisht dhe Skerdi Liço, 29 vjeç, banues në Korçë, si edhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për 9 shtetas të tjerë.
Nga veprimet hetimore të kryera, provat e grumbulluara dhe gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Hudënisht, Pogradec, në lokalin në përdorim nga shtetasi D. D., (i cili rezultonte i paregjistruar në organet tatimore), u konstatua se nga shtetasit e lartpërmendur ushtrohej aktiviteti i paligjshëm i lojërave të fatit, ku ky ambient ishte përshtatur për organizimin e palejuar të këtyre lojërave dhe për përdorimin e lëndëve narkotike.
Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe sekuestruan 1 tavolinë pokeri, 9 pako me letra bixhozi, 385 copë çipsa, 3 doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 1 aparat DVR për mbikëqyrjen e kamerave, 5 aparate celularë, 1200 euro, 200.000 lekë, 150 dollarë dhe 10.000 dinarë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Pogradec, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” kryer në bashkëpunim, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, kryer në bashkëpunim.


