Liderë e Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës, kanë dënuar operacionin ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës në orët e para të së enjtes.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se u bashkohet aleatëve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian për të dënuar ashpër agresionin rus. “Jemi me popullin ukrainas”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se populli i shtetit të saj mbështet popullin ukrainas, teksa përballet me “pasojat e një lufte të paprovokuar, si rezultat i agresionit rus”.
“Ne do të bashkëpunojmë me aleatët tanë për të ndalur çfarëdo destabilizimi të rajonit tonë. Hegjemonia ruse nuk do të triumfojë. Liria dhe demokracia do të fitojnë”, ka thënë ajo përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.
Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka thënë po ashtu në Twitter se u bashkohet thirrjeve të BE-së që Rusia t’iu japë fund armiqësive dhe të tërheqë forcat nga Ukraina.
Kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviç, ka thënë se ky “sulm i paprovokuar përbën shkelje të madhe të sovranitetit të Ukrainës dhe ligjit ndërkombëtar”.
“Kjo është përgjegjësi ekskluzive e Rusisë, të cilës i kërkojmë të ndalë menjëherë këtë sulm ushtarak”.
Kryesuesi i presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, Zhelko Komshiç ka thënë se do të ofrojë mbështetje për Ukrainën, brenda mundësive.
“Sot në orën 06:00 kam biseduar me të ngarkuarin me punë të Ukrainës, i cili më ka informuar zyrtarisht se sulmi ndaj Ukrainës ka nisur dhe se Ukraina kërkon mbështetjen tonë në të ardhmen”.
Ndërkohë Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deri tani nuk ka bërë një reagim, por mediat në Serbi raportojnë se ai ka caktuar urgjentisht një seancë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për të diskutuar zhvillimet e fundit në Ukrainë.
Ndërkohë sipas presidentit Vuçiç, Serbia është në një situatë shumë të vështirë dhe është nën presion të madh për t’u anëtarësuar në BE dhe për të dënuar lëvizjet e presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë, si dhe për të kërkuar që vendi ynë të vendosë sanksione ndaj Rusisë


