Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka pranuar kërkesën e SPAK për të pushuar hetimin e çështjes ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla për fshehje pasurie.
Duke qenë se ai është dënuar njëherë për këtë akuzë SPAK kërkoi pushimin e kësaj akuze.
Në shtator të vitit të kaluar Llalla u dënua me dy vite burg, si dhe 5 vite të tjera heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer tri herë.
Ish kryeprokurori iku nga Shqipëria një javë përpara se gjykata e Apelit të jepte vendimin ndaj tij, ndërsa pas 2 muajsh i shpallur në kërkim, ai u arrestua 12 dhjetor nga autoritetet italiane në Romë.
Llalla ka kërkuar azil politik në Itali, e nëse kjo kërkesë do të konfirmohet atëherë atij nuk do t’i vihen prangat, nuk do të ekstradohet e për pasojë arrestimi i tij do të mbetet në letër.


