Një punonjës i Policisë Rrugore është arrestuar këtë mëngjes, pasi akuzohet për korrupsion. Mësohet se ka rënë në pranga nga SHÇBA efektivi i Komisariatit Rajonal të Qarkullimit Rrugor në kryeqytet Arjan Meça, me detyrë trup shërbimi në Sektorin Inter-urban.
Sipas uniformave blu, ky punonjës policie u arrestua në flagrancë për veprën penale “Korupsion pasiv, nga persona që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, pasi mori një sasi lekësh nga një drejtues mjeti.
Ndërkohë, materialet proceduriale iu përcollën Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.
Nga ana e saj, SHÇBA fton qytetarët dhe mediat të denoncojnë çdo rast paligjshmërie të konstatuar apo korrupsioni, ku janë të implikuar punonjës të Policisë, në numrin falas 0800 90 90 ose të shkruajnë në adresën [email protected].
Njoftimi zyrtar:
Sot në datë 15.01.2018, në orën 15.00, nga struktura e Drejtorisë së SHÇBA Tiranë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Arjan Meça, i biri i Shefqet dhe i Xheko , lindur në Memaliaj më 25.7.1962, me arsim të mesëm, i padënuar, me shtetesi e kombësi shqiptare, me detyrë trup shërbimi në Sektorin Interurban në Komisariatin rajonal të Qarkullimit Rrugor Tiranë
Ky punonjës policie u kap në flagrancë me një sasi lekësh, të identifikuara paraprakisht me numër serie, menjëherë pas kryerjes së vepres penale “Korupsioni pasiv nga persona qe ushtrojne funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i K.Penal , të denocuar nga një shtetas në linjën jeshile pa pagesë 08009090 të SHÇBA dhe 129 te Policisë së Shtetit. Materialet e përgatitura për dokumentimin e ngjarjes ju përcollen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme sipas procedurës


