Rusia po përshpejton forcat e saj dhe po drejtohet me shpejtësi në kufirin me Ukrainën, në prag të një pushtimi të mundshëm. Kështu të paktën pretendon SHBA, e cila ditët e fundit ka kërkuar nga banorët e saj që të largohen me çdo kusht nga Ukraina. Nga ana tjetër, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka mbajtur një qëndrim të qetë, duke e cilësuar alarmin e ngritur nga shtetet perëndimorë si të rremë.
Qëndrimi i Zelenskyt vjen në përputhje me mënyrën se si ai i ka menaxhuar tensionet me Rusinë deri më tani, por orët e fundit e kanë vendosur atë në një pozitë të vështirë. Ai duhet të balancojë përshkallëzimin e tensioneve edhe ndaj aleatëve perëndimorë të cilët kanë investuar kohë për të gjetur një konsensus diplomatik, por edhe mjete luftarake për mbrojtjen e Ukrainës.
Ai e barazoi tensionin në kufi me momente të tjera të ngjashme mes Rusisë dhe Ukrainës, pa i dhënë asaj një specifikë apo urgjencë të veçantë.
Një gjë të tillë, Zelensky e bëri kur tha se rreziku i një pushtimi rus është i barabartë me atë të prillit të kaluar, kur Rusia grumbulloi rreth 40.000 ushtarë në kufi dhe më pas i tërhoqi ata. Ai e bëri përsëri një gjë të tillë edhe kur barazoi rrezikun aktual në zonën kufitare me tensionet që kanë vazhduar mes Rusisë dhe Ukrainës që nga vitit 2014, atëherë kur Rusia aneksoi Krimenë.
“Unë jam presidenti i Ukrainës, unë jetoj këtu dhe mendoj se e njoh situatën më mirë se çdo president tjetër”, tha ai.
Një rast tjetër kur Zelensky u mundua të shuante frikën e një pushtimi rus, ishte kur kritikoi vendimin e Shteteve të Bashkuara për të evakuuar familjarët e stafit të ambasadës amerikane në Kiev, kryeqytet i Ukrainës, duke e konsideruar një vendim të tillë si të tepruar.
“Diplomatët janë si kapitenët, ata duhet të jenë të fundit që braktisin anijen që po rrezikohet të fundoset, por Ukraina nuk është Titaniku”, ironizoi Zelensky.
Po ashtu, ka pasur edhe raste të tjera që presidenti ukrainas e ka marrë shumë seriozisht mundësinë e një pushtimi rus, si në rastin kur kritikoi presidentin e SHBA-ve Joe Biden, kur ky i fundit tha se NATO nuk do të dinte si t’i përgjigjej një “sulmi të vogël” të Rusisë në Ukrainë. Ose edhe atëherë kur ai tha se një luftë në Ukrainë nuk do të ishte vetëm një luftë mes Ukrainës dhe Rusisë, por një “luftë evropiane, një luftë e vërtetë”. Këto deklarata, në një farë mënyrë, dukej se kundërshtonin angazhimin e tij për të ulur frikën dhe tensionin e krijuar nga pushtimi i vendit nga Rusia.
Në fjalimin e tij të parë si president, Zelensky i tha qytetarëve të vendit se “do bënte çdo gjë që ishte e mundur për të arritur një paqe me Rusinë”, një frazë kjo që u shndërrua në moto, duke qortuar ashpër kundërshtarin e tij kryesor, Petro Poroshenko, ish-president i vendit, i cili humbi zgjedhjet për shkak edhe të marrëdhënieve të tij të këqija me Rusinë.
Megjithatë, gjërat nuk kanë ecur aq mbarë, Zelensky arriti të kuptojë se marrëveshja me Putinin nuk ishte aq e thjeshtë dhe gradualisht ka marrë pozicione më të ndrydhura, për shkak edhe të kritikave të marra nga brenda, veçanërisht nga pjesa e atyre që e akuzojnë për një qëndrim të nënshtruar ndaj Rusisë.
Megjithatë, duke pasur parasysh nivelin e tensioneve, pozicioni i Zelenskyt është i rrezikshëm, veçanërisht duke marrë për bazë edhe protestat në të shkuarën për shkak të qëndrimit të tij ndaj Rusisë, pasi konsiderohej një qëndrim shumë i papajtueshëm. Ndërsa gjatë javëve të fundit, kundërshtarët dhe kritikët e tij, veçanërisht Poroshenko, e kanë akuzuar atë se e ka marrë shumë pak seriozisht kërcënimin e një pushtimi rus, duke mos marrë masat e duhura për mbrojtjen e vendit.


