Një sherr në një lokal në qendër të fshatit Gjorm, pak kilometra larg qytetit të Vlorës është kthyer në një tragjedi të vërtetë.
Mësohet se autori i krimit, Artion Shenaj ka hyrë në lokalin e fshatit dhe është konfliktuar me Mariglenin, me të cilin thuhet se ka pasur një konflikt të hershëm, gjatë kohës që të dy jetonin në emigrim.
Dyshohet se pas këtij momenti 31-vjeçari e ka qëlluar me një automatik tip kallashnikov. Kur kanë kaluar vetëm 15 minuta Shenaj, në gjendje të rëndë psikologjike ka qëlluar me të njëjtën armë edhe mbi veten e tij.
Trupat e të dyve, po transportohen në këto momente drejt morgut të spitalit të Vlorës, ndërsa policia e Vlorës pritet të zbardhë më shumë detaje rreth ngjarjes.
E kaluara kriminale: Mariglen Memaj nga të dhënat e parë dyshohet se ka qenë i hetuar për trafik droge në Itali dhe është emër i njohur për policinë vendase. Ndërsa Artion Shenaj ka qënë në burg në Francë.
Autori i vrasjes (Shenaj) kishte vetëm tri ditë që ishte kthyer nga Franca.


