Enkelejd Alibeaj pas lajmit të publikuar në “Panorama.al“, ku paparacët në Kuvend kanë fiksuar në celularin e Flamur Nokës komunikime me njerëzit më të aftërt të Edi Ramës.
Në rubrikën e mesazheve të deputetit, bie në sy komunikimi i Flamur Nokës me ministrin e besuar të Edi Ramës, me Ulsi Manjën e po ashtu dhe emojit me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla etj.
Në një reagim në rrjetet sociale, Enkelejd Alibeaj shkruan se në mesazhet me kryetaren e Kuvendit, Noka e ka “porositur” këtë të fundit që t’ja japë fjalën Sali Berishës për procedurë.
“Edhe një herë Berishën për procedurë dhe të ikim ne :)”, dhe një emoji me fytyrë të qeshur, është mesazhi që Alibeaj thotë se Noka i ka dërguar kryeparlamentares Nikolla.
Alibeaj ka publikuar gjithashtu me video edhe momentet kur në seancën e të enjtes në Kuvend, Berisha kërkon fjalën dhe nga vendi ndërhyn edhe Noka që thotë “fjalën për procedurë”.
POSTIMI I PLOTE I ENKELEJD ALIBEAJ
Që prej 9 shtatorit, Sali Berisha, për të hequr vëmendjen nga non grata e tij për korrupsion, ka nisur një fushatë të turpshme shpifjesh e mashtrimesh kundër lidershpit të PD.
Ndërsa hedh mashtrime nga më ordineret, familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij vazhdojnë të pasurohen duke bashkëpunuar me Edi Ramën dhe qeverinë e tij.
Edi Ramës i duhet një njeri si Sali Berisha, ish-kryeministri i vetëm në Europë i shpallur non grata për korrupsion, një njeri i izoluar nga SHBA dhe BE.
Prandaj Rama i ka vënë në dispozicion gjithë makinerinë e propagandës së tij duke bashkëpunuar më së miri me të, siç ndodh dhe në këtë komunikim të kapur nga mediat ku Flamur Noka bashkërendon me Ulsi Manjën dhe Lindita Nikollen.
Nga njëra anë ndajnë pazare dhe koordinojnë luftën kundër PD, nga ana tjetër foltorexhinjte non-grata sulmojnë lidershipin e PD.
Kushdo me sy në ballë e mend në kokë e kupton tashmë se në Shqipëri ka vetëm një opozitë, që është PD.
Rama dhe Berisha janë njësoj. Zgjidh Ramën dhe merr edhe Berishën. Zgjidh Berishën dhe merr Ramën.



