Kandidati i ekstremit të djathtë për president të Francës, Eric Zemmour është gjobitur me 10,000 euro nga një gjykatë e Parisit për urrejtje.
Çështja nisi pas një daljeje televizive, ku ai i përshkroi fëmijët emigrantë të pashoqëruar si “hajdutë”, “përdhunues” dhe “vrasës”. Zemmour është i njohur për pikëpamjet e tij anti-islame dhe kundër emigracionit.
Avokati i tij tha se do të apelojë vendimin e gjykatës. Duke reaguar ndaj vendimit në mediat sociale, Zemmour u ankua se liria e tij e fjalës po kufizohej dhe tha se kishte një “nevojë urgjente për të dëbuar ideologjinë nga gjykatat”.
Ai i bëri komentet në shtator 2020 në kanalin televiziv CNews, ku dikur punonte si ekspert.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me një sulm të fundit me thikë nga një emigrant i ri i radikalizuar pakistanez, ai tha: “Ata nuk kanë çfarë të bëjnë këtu. Ata janë hajdutë, ata janë vrasës, ata janë përdhunues, vetëm kaq janë. Ata duhet të kthehen dhe ata as që duhen lejuar që të vijnë këtu”.
Në gjyqin e tij në nëntor të vitit të kaluar, ku Zemmour nuk mori pjesë, prokurorët argumentuan se komentet e tij ishin “përçmuese” dhe “kufijtë e lirisë së shprehjes ishin tejkaluar”.
Zemmour ka dy dënime të mëparshme për të njëjtat akuza. Për disa javë vitin e kaluar, sondazhet sugjeruan se ai mund të dilte i dyti në zgjedhjet presidenciale të prillit në Francë, duke u përballur me një balotazh me presidentin aktual Emmanuel Macron. Megjithatë, mbështetja e tij ka rënë që atëherë.
Sondazhet tani sugjerojnë se ai mund të marrë rreth 11 për qind të votave në raundin e parë. Edhe pse Zemmour ka shpallur synimin e tij për të kandiduar për president, ende nuk është e qartë nëse emri i tij do të jetë në fletën e votimit.
Ashtu si të gjithë kandidatët, ai duhet të mbledhë 500 firma nga zyrtarë të zgjedhur rreth Francës deri në mes të muajit mars. Ai ka pranuar se do ta ketë të vështirë që të sigurojë mbështetjen e mjaftueshme, duke u ankuar se sistemi është i njëanshëm kundër të rinjve në politikë.


