Gjykata e Fierit ka lënë sot në burg biznesmenin Vesaf Musa pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një të mitur. 64-vjeçari Musa u arrestua nga policia e Fierit të premten (14 janar), pasi dyshohet se ngacmoi një 14-vjeçare të komunitetit rom.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se e mitura ka rrëfyer para policisë në prani të psikologes dhe familjarëve sesi ka ndodhur ngjarja.
Mësohet se teksa po udhëtonte me një mjet fuoristradë, biznesmeni ka ndaluar dhe i ka thënë të miturës: ‘Eja, do bëjmë qejf?’
Por kush është Vesaf Musa
Report Tv mëson se 64-vjeçari Musa është një biznesmen mjaft i njohur pasi ka një fabrikë vaji ulliri në Skrofotinë të Vlorës. Rreth një muaj më parë, ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rrural, Frida Kricfa, vizituan fabrikën e Musës ndërsa u publikuan edhe pamje nga takimi. “Musai Olive Oil”, në Skrofotinë të Vlorës, mbështetej nga qeveria shqiptare.


