Një bankë e nivelit të dytë ka rënë pre e grabitjes këtë mesditë nga autorë të armatosur dhe me maska. Ngjarja ka ndodhur në kryeqytet, pranë ish-Stacionit të Trenit. Burimet bënë të ditur se ka qenë një person që është futur në ambientet e bankës dhe ka marrë shumën e njërit prej sporteleve.
Filiali i bankës së grabitur ndodhet brenda ambienteve të Hipotekës, në Tiranë. Nuk dihet ende shuma e marrë nga grabitësit, ndërsa pritet të zbardhen detajet në vijim. Filiali funksionon brenda zyrave të Hipotekës dhe nuk ka nivel të lartë sigurie.
Filiali i kësaj banke është i mbuluar vetëm nga xhami dhe kjo iu ka dhënë mundësi grabitësve të veprojnë me shpejtësi dhe të largohen. Policia nuk ka arritur të ndalojë autorët, ndërsa ka ngritur pika të shumta kontrolli në të gjithë kryeqytetin.
Bëhet fjalë për një sportel që mbledh lekët e shërbimeve të treta pranë hipotekës së Tiranës.
Dyshohet se ka qenë një person i maskuar me kapuç dhe i armatosur që ka zbritur nga një automjet BMW X5 ngjyrë gri. Ai i ka drejtuar arkëtares armën duke i kërkuar paratë. Sapo i ka marrë është larguar me shpejtësi. Nuk dihet ende shuma monetare e grabitur ndërsa policia ndodhet në vendin e ngjarjes.
E gjithë skena e grabitjes është filmuar nga kamerat e sigurisë dhe pritet të zbardhet nga policia.




