Nga tërmeti i fortë mbrëmjen e djeshme me epiqendër në Greqi, lëkundje të forta u ndjenë dhe në vendin tonë.
Nga vëzhgimet e bëra mëngjesin e sotëm zona e Devollit është prekur më shumë nga këto lëkundje tërmeti dhe sipas të dhënave të deritanishme 6 banesa kanë mbetur të dëmtuara: 2 në Bilisht, 2 në fshatin Mançurisht e 2 në fshatin Shuec. Kanë qenë vetë banorët e këtyre fshatrave që kanë njoftuar instancat lokale në lidhje me problemet e shkaktuara nga tërmeti.
Eduart Duro, kryetari i bashkisë ka treguar për mediat se grupet e emergjencave civile kanë nisur verifikimin në terren për rastet e raportuara.
Sipas tij, banesat të cilat kanë raportuar dëme nga tërmeti i mbrëmshën janë banesa të vjetra dhe të amortizuara, të cilat kanë patur probleme edhe më parë. Në fund të verifikimeve do të vendoset se cilat banesa kanë dëmtime serioze dhe më pas do meren masa për ndërhyrje.


