Një nga temat që u diskutua nga tre moderatorët e emisionit radiofonik “Chaud Patete” ishte eventi i 1-vjetorit të restorantit që chef Renato Mekolli ngriti në bashkëpunim me ish-zëdhënësen e PD-së, Ori Nebijajn.
Sigurisht që Flori Gjinit nuk kishte si t’i shpëtonte mungesa e bashkëpunëtores së Mekollit në këtë event dhe për këtë nuk mund të linte pa ngacmuar një nga mikeshat e tij më të mira, Suada Dacin. Ajo në fillim tha se Ori mungoi, pasi ndodhet në një udhëtim në Romë, por kjo nuk e bindi aspak Florin dhe Rudin, të cilët e cilësuan si “kamuflim” udhëtimin e saj në Itali.
Situata u bë më e qartë kur Suada solli si shembull dasmën e Fiori Dardhës, gjatë të cilës mungonte mikesha dhe kolegia e saj, Rozana Radi. Në momentin që Fiori martohej, Rozana mbante koncerte në Sarandë, ndërsa pak ditë më vonë u zbulua se marrëdhënia e tyre ishte krisur.
“Ju kujtohet atëherë dasma e Fiori Dardhës, ku Rozana ishte në koncert? Fiori martohej ndërsa Rozana ishte në koncert në Sarandë, Ori ishte në Romë kësaj radhe. Mirë, do ta them se nuk më mban gjë goja mua. Nuk janë më ortakë me njëri-tjetrit, por mbeten miq shumë të mirë. Arsyet nuk i dimë, se nuk jam interesuar, por besoj janë arsye të tyre të brendshme”,- u shpreh dashur, padashur gazetarja.



