Newsbomb.al ka publikuar dje lajmin e vrasjes në Angli të një djali 22 vjeç nga Kukësi, i quajtur Fatjon Oruçi. Disa orë më parë ka reaguar dhe Policia e Londrës, e qarkut South Yorkshire, e cila ka publikuar foton e të riut dhe thotë se ka ndaluar dy persona për vrasjen, por hetimet ndaj tyre vazhdojnë në liri.
Referuar raportit policor, 22 vjeçari nga Kukësi por me banim të rregullt në Londër u gjet i vdekur në Doncaster Road rreth orës 1:20 të mëngjesit të së shtunës (1 janar), në qytezën e Rotherham. Fatjon Oruçi, thotë Policia, është gjetur me plagë “katastrofike” në trup, i rrahur dhe i therur me thikë.
Familja e Fatjonit është vënë në dijeni dhe aktualisht po mbështetet nga oficerë të trajnuar posaçërisht. Pasditen e së shtunës, një 26-vjeçar dhe një grua 20-vjeçare u arrestuan si të dyshuar për vrasjen. Ata janë liruar por hetimet vijojnë, shkruan newsbomb.al.
Një burrë 23-vjeçar nga Rotherham u arrestua të martën (4 janar) me dyshimin si i përfshirë në vrasjen e të riut me origjinë shqiptare. Megjithatë thotë Policia, ai është liruar nga paraburgimi dhe nuk do të ndërmerren veprime të mëtejshme për shkak të mungesës së provave.
Hetimet për Fatjon Oruçin po vazhdojnë me ritme dhe do të ketë prezencë dhe aktivitet të vazhdueshëm të policisë gjatë ditëve në vijim. Detektivët ende duan të dëgjojnë nga kushdo që ka ndonjë informacion që mund të ndihmojë me hetimin.



