Partia demokratike pësoi më 25 prill një tjetër humbje e cila duket se ishte pikënisja e një sërë debatesh qe do të vijonin më vonë brenda selisë blu.
Megjithatë, pika kulminante erdhi kur SHBA shpalli “non grata” Sali Berishën dhe familjen e tij.
Ndonëse në fillim kryetari i PD, Lulzim Basha u shpreh se vendimi nuk ishte i drejtë, goditja finale erdhi më 9 shtator kur po Basha përjashtoi nga grupi parlamentar ish kryeministrin.
Ky i fundit, siç edhe pritej, nuk e priti aspak mirë situatën teksa po në të njëjtën mbrëmjë, gjatë një intervistë televizive, sulmoi hapur Bashën. Prej atij momenti, mes dy ish bashkëpunëtorëve të ngushtë nisi edhe një betejë e brëndshmë që përfshiu të gjithë demokratët por jo vetëm.
Sali Berisha filloi takimet me mbeshtetësit e tij dhe kritikët e Bashës, në çdo qyetet të Shqipërisë me atë çka ai e quajti “Foltore”.
Prej aty, mbledhja e të gjithëve bashkë për shkarkimin e Lulzim Bashës u vendos në Kuvendin e 11 dhjetorit, thirrur nga ish kryetari.
Nga ana tjetër, Lulzim Basha vijoi i palëkundur takimet me Kryesinë e deputetët e PD, por edhe me bazën herë herë, derisa thërriti gjithashtu, Kuvendin e 18 dhjetorit.
Të dyja u mbajtën dhe të dyja shkarkuan.
Berisha shkoi edhe më tej kur zgjodhi të hynte me forcë brenda selisë, me militantë që shkallmuan edhe derën e sallës së Konferencave.
Teksa Berisha duket i rrëmbyer nga impulsiviteti, përballë ka një Bashë që ka ruajtur qetësinë deri më tani.
Mes akuzash të forta dhe përballjesh nga një studio në një studio tjetër, prej shtatorit e deri më sot kur po mbyllet viti, e gjithë vemëndje publike me të gjithë “prozhektorët” e saj drejtohej vetëm diku. Tek Partia Demokratike dhe fati i saj.
Me siguri kjo do të vijojë edhe për disa javë e muaj, pasi grupi i Berishës ka dhënë “ultimatumin” se më 5 janar Basha duhet të lërë zyrën. Me gjasa të pakta qe kjo do ndodhi, pritet të shihet cili do jetë hapi i radhës.
AlpeNews.al








