Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi e ka cilësuar domosdoshmëri hartën e re gjyqësore të propozuar nga organet e drejtësisë.
Në një konferencë për mediat, Sadushi shprehet se vendosja e një gjyukate apeli, bën një unifikim të vendimeve të dhëna për një çështje.
Sipas tij, vendi ka një problematikë me numrin e ulët të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Për hartën gjyqësore, unë do i qëndroja idesë që një Gjykatë e vetme Civile në rang apeli është zgjidhja më e pranueshme sepse jemi të mendimit që çështjet konsiderohen të përfunduara në Gjykatën e Apelit. Sot kemi 6 Gjykata Apeli që kanë qëndrime të ndryshme për të njëjtën çështje dhe vetëm me një gjykatë eliminohet ky rrezik dhe është mundësi e mirë për efektivitet në gjykim.
Kjo hartë gjyqësore i nevojitet sistemit të drejtësisë. Një hartë gjyqësore që i strukturon institucionet gjyqësore, është zgjidhja më e pranueshme. Numri i gjyqtarëve është një problem tjetër. Numri i tyre dhe i prokurorëve duhet të jetë shumë më i lartë nga sa është. Shqipëria në 100 mijë banorë ka rreth 12.5 gjyqtarë ndërkohë që niveli europian është rreth 25 gjyqtarë. Kjo është çështje tjetër që besoj se në mënyrë graduale do e ketë dhe zgjidhjen. Një hartë gjyqësore është domosdoshmëri, efektivitet dhe cilësi”, u shpreh ai.


