Dy persona dyshohet të jenë autorë të vrasjes së 30- vjeçarit Can Kariçi, mbrëmjen e së enjtes në Kodër-Kamzë të Tiranës.
Burime nga grupi hetimor thanë se makina tip “Audi”, që u gjet e djegur në Institut, është përdorur nga autorët, pasi brenda saj u gjet një armë zjarri tip “Kallashnikov”.
Dy personat e dyshuar, njëri ka qenë në rolin e ekzekutorit dhe tjetri bashkëpunëtor, pasi dyshohet se ka qenë në drejtim të mjetit.
Burimet thanë se nga hetimet e deritanishme është mësuar se 30-vjeçari Kariçi ka qenë në ambientet e bar-kafe “G…”, në zonën e Kodër Kamzës nën shoqërinë e një vajze para se të ekzekutohej.
Policia e ka marrë në pyetje vajzën që shoqëronte viktimën para ngjarjes, por deklarimet e saj nuk kanë ndihmuar grupin hetimor në drejtim të emrave të autorëve apo edhe të personave të mundshëm që viktima mund të ketë pasur konflikt.


