Orgest Drazhi, 36-vjeç, shok i Jurgen Dukës, i cili u vra në një supermarket në Tiranë, është arrestuar nga policia për mos kallëzim krimi. 36-vjeçari ishte prezent në konfliktin e çastit, që ndodhi mes Jurgen Dukës dhe efektivit të policisë Arbër Sulës për radhën në supermarket.
Ngjarja e rëndë ndodhi pak pas mesnatë (14 dhjetor), në një supermarket në Tiranë në rrugën Irfan Tomini, ndërsa shkak u bë sherri mes dy personave se kush do paguante i pari tek kasa. Autori i vrasjes, me detyre agjent krimesh me detyrë në Dibër, është shpallur në kërkim nga policia.
Fillimisht Jurgen Duka ka mbetur i plagosur ndërsa ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës në Tiranë pasi plumbi e preku në zemër. Sakaq, policia ka marrë në pyetje disa persona në lidhje me krimin ndërsa në xhepat e rrobave të viktimës është gjetur 2.8 gramë kokainë.
Jurgen Duka nuk është një emër i panjohur për policinë pasi rezulton me precedent të mëparshëm kriminal. Rasti më i fundit, në vitin 2020 ai u arrestua së bashku me Elison Hysenbelli në kuadër të operacionit anti-drogë mes Italisë dhe Shqipërisë, të koduar ‘Riviera’ dhe do ekstradohej drejt vendit fqinj për t’u gjykuar. Ndërkohë vijon puna nga autoritetet për të arrestuar autorin e vrasjes.


