Takimi i katërmbëdhjetë i Konferencës së Anëtarësimit në BE për Malin e Zi në nivel ministror është mbajtur këtë të hënë në Bruksel. Kjo është konferenca e dytë ndërqeveritare që kur Këshilli miratoi metodologjinë e rishikuar të zgjerimit, e cila lejoi një shkëmbim, sipas Brukselit, më interesant politik si dhe drejtimin e reformave.
Delegacioni i Bashkimit Europian u kryesua nga Gasper Dovzan, Sekretar i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në emër të Presidencës Sllovene të Këshillit të Bashkimit Europian. Delegacioni malazez udhëhiqej nga Jakov Milatoviç, Ministër i Zhvillimit Ekonomik të Malit të Zi.
Ne mirëpresim përparimin e bërë nga Mali i Zi. Ne nënvizuam në diskutimin tonë se përparimi në negociatat do të varet nga përparimi i Malit të Zi në përgatitjet e tij për pranim, veçanërisht në lidhje me standardet e sundimit të ligjit”, tha përfaqësuesi i BE, Dovzan.
Metodologjia e rishikuar e zgjerimit synon të ringjallë procesin e anëtarësimit. Ajo përfshin: një fokus më të fortë në reformat themelore; një drejtim politik më të fortë; dinamizëm i rritur dhe një proces më i parashikueshëm, i bazuar në kritere objektive dhe në kushte rigoroze pozitive dhe negative.
Sigurimi i procesit të anëtarësimit me një drejtim politik më të fortë nga Konferencat Ndërqeveritare është një nga elementët kryesorë të metodologjisë së rishikuar të zgjerimit. Prandaj, BE thotë se takimi shërbeu për të forcuar dialogun midis vendeve anëtare të unionit dhe Malit të Zi, me fokus në reformat kryesore të nevojshme për të lejuar përparim të mëtejshëm në procesin e anëtarësimit.


