Ervin Minarolli, sekretar organizativ i PD, dhe Ivi Kaso, sekretar zgjedhor, kanë braktisur Lulzim Bashën në ditën e fundit. Drejtuesit e zgjedhur nga kreu aktual i PD në postet e rëndësishme janë shfaqur paraditen e sotme në Kuvendin e Sali Berishës.
“Dezertorët” që kanë kaluar sot nga “grupi Basha” te “grupi Berisha”, Kaso dhe Minarolli janë zgjedhur si anëtarë të Komisionit që do të drejtojë punimet e këtij Kuvendi të 11 dhjetorit. Bashkë me ta, pjesë janë dhe Albana Vokshi, Edmond Spaho dhe Belind Këlliçi, si drejtues i komisionit.
Më parë dy sekretarët e PD, ai zgjedhor dhe organizativ janë shfaqur në krah të Lulzim Bashës dhe si njerëz të besuar të këtij të fundit, shkruan newsbomb.al. Në betejat e PD me PS, Kaso dhe Minarolli kanë qenë “prijës” të interesit të demokratëve.
Prania e tyre sot në Kuvendin që po mbahet në “Air Albania” ka shkaktuar habi pasi me herët ata nuk janë shprehur pro Sali Berishës. Nuk kanë dhënë as shpjegime se përse zgjodhën të lënë në mes të rrugës Lulzim Bashën, në momentin më kritik për të.


