Pas mjekëve e mësuesve, fasha e vaksinimeve me detyrim zgjerohet me punonjësit e administratës publike, supermarketeve dhe qendrave tregtare.
Të gjithë të punësuarit në një nga sektorët e mësipërm duhet të injektojnë dozat anti-COVID deri në 31 dhjetor, në rast se nuk e kanë bërë deri tani. E kundërta do t’u kushtojë atyre vendin e punës. Rreziku i shtuar për shkak të temperaturave të ulëta në dimër dhe variantit të ri “Omicron” ka vënë në alert Komitetin e Ekspertëve, i cili u mblodh dje për të vendosur kufizime ekstra me qëllim parandalimin e COVID-19.
MASAT SHTESË
Përpos vaksinimit me detyrim si të vetmen armë në duar për të ndaluar pandeminë, Komiteti vendosi ndalimin e hyrjes së shtetasve me histori udhëtimi në një listës shtetesh në Afrikën e Jugut, ndërsa uli moshën e vaksinës së tretë në 18 vjeç.
“Duke filluar nga dita e sotme, çdo qytetar +18 vjeç mund të bëjë dozën përforcuese, pasi ka kaluar 6 muaj nga doza e dytë. Pas vendimit për vaksinimin e mësuesve dhe studentëve, Komiteti ka marrë vendim që deri me datën 31 dhjetor, të gjithë punonjësit e administratës publike, punonjësit e supermarketeve dhe qendrave tregtare që nuk janë vaksinuar, të vaksinohen, pasi me datën 4 janar do të kërkohet karta e vaksinimit ose prova e testit PCR negativ çdo 5 ditë. Nisur nga fakti që varianti i ri ‘Omicron’ është identifikuar në qytetarë që kanë pasur histori udhëtimi e kontaktesh me vende të Afrikës së Jugut, si edhe faktin që akoma nuk është e qartë natyra e agresivitetit të virusit, masat e marra edhe nga vende të tjera të botës, Komiteti i Ekspertëve vendosi të rekomandojë ndalimin e hyrjes të shtetasve të huaj me histori udhëtimi brenda 14 ditëve të fundit në vendet: Afrikë e Jugut, Kenia, Angola, Zambia, Bostvana , Senegal, duke filluar nga data 3 dhjetor, për tri javë. Shtetasit shqiptarë rezidentë, që vijnë në Shqipëri dhe kanë histori udhëtimi 14 ditët e fundit para mbërritjes, në vendet e listuara më sipër do të karantinohen në shtëpitë e tyre për 14 ditë dhe do të monitorohen nga njësitë shëndetësore”, nënvizoi Rakacolli.
SITUATA
Përpara artikulimit të masave të reja, Komiteti Teknik i Ekspertëve bënë një pasqyrë të situatës pandemike. Për shefen e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, prof. Silva Bino, shqetësim përbën rritja e infektimeve në moshat pediatrike teksa flet për një stabilizim të shifrave. “Situata epidemiologjike në javën e fundit, paraqitet në javën e fundit e qëndrueshme në krahasim me dy javë më parë. Ajo çka është vënë re në lidhje me grupmoshat, kemi një rritje të moshave të reja dhe moshave pediatrike 0-4 vjeç dhe 4-14 vjeç. Nga ana tjetër, në lidhje me vaksinimin, kemi një rritje të mbulesës vaksinale, e cila shkon në rang vendi 48%. Kemi rritja në disa bashki të mëdha siç është Bashkia Tiranë, që kemi një rritje mbi nivelin kombëtar që shkon në 52% kemi edhe bashkitë e tjera që vetëm më dozën e parë shkojnë në 70-80%”, tha Bino.
Duke vënë theksin te rëndësia e vaksinimit, prof. Dhimitër Kraja tha se në spitalet COVID, 94% e rasteve të shtruara janë të pavaksinuar. “Është e padrejtë që qytetarët që nuk vaksinohen për justifikime të palogjikshme të rëndojnë gjendjen, aktivitetin në spital, të drejtën që kanë të sëmurët e tjerë të kenë lirinë më të madhe, të kenë një trajtim të vazhdueshëm të fortë, megjithëse ky realizohet, sepse numri i rasteve të shtruara të cilët për fatkeqësi edhe rëndohen shumë, kërkojnë edhe një impenjim të madh nga i gjithë stafi i spitalit. Kështu që kjo është një gjë që duhet të shmanget në mënyrë absolute. Unë i bëj thirrje përmes mundësisë që më jepet në këtë rast që të ndalet në mënyrë të menjëhershme kjo tendencë e mosvaksinimit të qytetarëve”.
Kryeministri Rama, i vetmi pa maskë në “Arenën Kombëtare”
Nuk ka kaluar asnjë minutë e plotë që kur kryeministri Edi Rama mbërriti në “Arenën Kombëtare” për të bërë dozën e tretë të vaksinës anti-COVID dhe hoqi maskën prej cope për ta futur në xhep ndërkohë që komunikon lirshëm me disa prej atyre që ndodheshin në atë moment. Të njëjtin veprim e pason edhe e para e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu që afrohet pa maskë drejt tij për t’i shpjeguar diçka. Më tej, vijon komunikimi me gazetarët pa mjete mbrojtëse. Një gjë e tillë ndodh në të njëjtën ditë kur kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla u kërkoi deputetëve e ministrave të bëhen shembull për qytetarët, duke “harruar” kështu të parin e qeverisë që në rastin konkret u bë shembull, por për në kuptimin e keq të fjalës.



