Në vitin 2006, Klodian Çalamani u dënua me vetëm 4 vite burg për pengmarrjen e një vajze të mitur në fshatin Greçalli të Fierit, bashkë me xhaxhain e 8-vjeçarit Mateo Vasiu që vrau një ditë më parë.
Çalamani dhe Florian Vasiu u dënuan me nga 4 vite burg secili, duke i shpëtuar akuzës për dhunë të kryer në bashkëpunim.
Në dosjen hetimore thuhet se ata e kanë dhunuar të miturën, i kanë mbyllur gojën, i kanë grisur rrobat, i kanë shkulur flokët dhe e kanë dëmtuar në trup me një biçak.
Por gjyqtarja Nafije Curri, e ka pushuar çështjen për dhunë ndaj 16-vjeçares, duke i dënuar dy të rinjtë asokohe vetëm me akuzën e heqjes së lirisë së kryer në bashkëpunim, pavarësisht tmerrit që e reja kishte parë me sy.
Nëse në dosjen e tyre do të përfshihej edhe akuza për dhunë e kryer në bashkëpunim, Çalamani dhe Vasiu duhej të dënoheshin maksimumi me 10 vjet burg.
Me pushimin e akuzës, sipas asaj që parashikohet në Kodin Penal, ata rezultojnë të pafajshëm dhe të padënuar në sistemin e regjistrit të drejtësisë shqiptare.
Por cila është historia që daton thuajse 15 vjet më parë? Shkak i kësaj ngjarjeje, ishte bërë ngacmimi i përsëritur i Florianit ndaj vajzës atëherë 16 vjeçe, e cila ndiqte vitin e dytë në gjimnazin “Perikli Ikonomi” në Fier.
Bezdisjet e herëpashershme që Floriani kishte kryer ndaj 16-vjeçares N.R., ishin vërë re rastësisht nga i dashuri i saj, E.N., nga Fieri, i cili e kishte takuar atë duke i thënë që të mos e shqetësonte më të dashurën e tij.
Në këtë kohë, ka ndërhyrë Klodian Çalamani dhe i ka ndarë. Floriani dhe Klodiani, duket se kanë planifikuar ndëshkimin e fqinjës së tyre të mitur, duke e kërcënuar se do t’i dëmtonin pjesë të ndryshme të trupit të saj, pikërisht në zonën e gjoksit.
Për të arritur qëllimin e tyre, një prej të dënuarve, Klodiani, ka kërcënuar edhe motrën e tij, E.Çalamani, e cila dyshohet se është përdorur për të futur në kurth adoleshenten.
Në dëshminë e saj, motra e Çalamanit thotë se është gjendur nën kërcënimin e të vëllait të saj dhe shokut të tij për të sjellë 16-vjeçaren në shtëpi.
Kjo e fundit është mashtruar për të ardhur në shtëpi nga e reja tjetër me pretendimin sa të merrte shapkat që të shkonin më pas në një dyqan për të blerë diçka.
“Kur kanë mbërritur atje, ajo i ka dhënë për të lexuar letrat që vëllai i saj kishte shkruar për të, sa ajo të gjente shapkat, ndërsa Klodiani dhe Floriani ishin fshehur jashtë derës së dhomës”, – përshkruan dosja.
Pasi janë pikasur nga e mitura, Klodiani dhe Floriani hyjnë në dhomë dhe i thonë: “Pse na e nxore dashnorin tënd dje të na vriste me pistoletë!”, dhe kanë filluar ta godisnin me shkelma. Në këtë kohë, motra e Klodianit ka dalë menjëherë jashtë me fëmijën e saj.
Më pas ata, përmes dhunës, kanë mbyllur derën e dhomës, duke shtyrë dhe qëlluar me shkelma e grushte të dëmtuarën, duke i mbyllur gojën dhe duke e mbajtur të shtrënguar nga rrobat që ajo të mos largohej.
Ushtrimi i dhunës fizike nga dy të pandehurit ndaj të dëmtuarës, provohet edhe me aktin e ekspertimit mjeko-ligjor të datës 10-05-2006, sipas të cilit, në trupin e të dëmtuarës, ku nuk janë konstatuar dëmtime në organet e brendshme, por pesë gërvishtje përmes një cope xhami.
Gjithnjë sipas 16-vjeçares, ditën e ngjarjes, vajza ka ardhur në shtëpi e zhveshur në pjesën e sipërme të trupit, vetëm me të brendshme, e gjakosur nga krahët me flokët e lëshuara dhe të ngatërruara.
Në dijeni të ngjarjes, është vënë edhe babai i të miturës, i cili ka dëshmuar në gjykatë se dy të pandehurit i kishin shkuar vajzës në shkollë për të pirë kafe, po se ajo kishte refuzuar.
Ai pohoi se kur ka shkuar në shtëpi, së bashku me gruan, e kanë gjetur vajzën të gjakosur dhe të zhveshur në pjesën e sipërme.
Vajza i kishte thënë babait se të pandehurit e kishin shtyrë në dysheme dhe e Floriani i kishte thënë Klodianit: “Lëre se do ikim e vjen policia”. Por Çalamani ka marrë një shishe birrë dhe e ka qëlluar direkt e në kokë, por ajo është ulur duke shmangur goditjen.
“Pas kësaj, Çalamani ka marrë copat e qelqeve dhe ka dëmtuar veten e tij dhe fytyrën”, – thuhet në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes.
E mitura ka dëshmuar se asnjë nga të pandehurit nuk ka tentuar të kryejë marrëdhënie seskuale me të, apo ta kenë ngacmuar seksualisht, por Çalamani i ka thënë se donte t’i linte një shenjë në pjesën e gjoksit, pa ndërmarrë ndonjë veprim tjetër për këtë.
Sipas dëshmisë, në këto momente ka hyrë në dhomë vëllai i Florianit, i cili i thotë dy të pandehurve: “Çfarë keni më këtë, e lini të ikë!”. Çalamani nuk e lëshonte nga krahët të miturën, por Floriani i thotë: “Hajde të ikim”.
Në këtë kohë që Klodiani e mbante shtrënguar nga bluza, e mitura shpjegon se ka lëvizur trupin dhe i ka ikur nga duart pengmarrësit të saj, ku i kanë dalë të dyja bluzat nga trupi, duke qëndruar vetëm me të brendshmet e sipërme dhe me tuta.
Ajo ka dalë me vrap në rrugë dhe prej andej ka ikur në shtëpi, ndërsa gjithçka ka zgjatur 20 minuta. Në mbrëmje, e reja ka bërë kallëzim penal në polici.
Dy të rinjtë u dënuan nga Gjykata e Fierit, me nga katër vjet burgim për veprën penale të heqjes së lirisë të kryer në bashkëpunim, bazuar në nenin 110/2 të Kodit Penal, duke i shpëtuar kështu akuzës së dhunës së kryer në bshkëpunim.(SI)


