Leo Kadeli jeton prej 15 vitesh në Bullgari dhe 5 vitet e fundit i është përkushtuar një kauze të veçantë për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Ai ka themeluar shoqatën, “Friends, help”, së cilës tashmë i janë bashkuar mbi 80 000 njerëz. Për kontributin e tij, Leo është vlerësuar në Bullgari me çmimin “Iluministri i Vitit 2021”.
Ceremonia solemne në të cilën u shpallën fituesit në mesin e dhjetë finalistëve të fushatës u zhvillua në Ditën e Udhëheqësve dhe Iluminizmit të Rilindjes Kombëtare Bullgare me 1 Nëntor. Kjo është hera e parë që në historinë 8 vjeçare të fushatës, një fitues është shqiptar.
“Ky çmim është falë 80 mijë vetëve dhe prindërve të mi që më kanë rritur të tillë.”, tha Leo gjatë intervistës për emisionin e mëngjesit në ABC. “Organizata funksionon me të ardhurat që ka dëshirë çdo njeri të dhurojë. Nuk kemi asnjë fond nga shteti, nga askush. Çdo gjë e kemi bërë me dorën e organizimit tonë.”, tha ai.