Të paktën dy persona janë vrarë dhe një turist është plagosur në një sulm të tmerrshëm me armë në një vendpushim në Kankun në Meksikë, pasi një bandë e armatosur droge sulmoi një hotel dhe qëlloi me armë.
Në pamjet e publikuara nga mediat e huaja, shihen turistët teksa vrapojnë për t’u shpëtuar plumbave në resortin Hyatt Ziva Riviera Cancun në Meksikë.
Të shtënat ishin si pasojë e një konfrontimi midis një grupi tregtarësh droge në një plazh në Bahía Petempich, Puerto Morelos, njoftoi prokurori i përgjithshëm i Quintana Roo.
Sipas autoriteteve, dy të vdekurit janë trafikantë droge, ndërsa nuk ka turistë të rrëmbyer apo plagosur rëndë.
Një burrë është arrestuar – megjithëse raportet lokale sugjerojnë se të paktën tetë mund të jenë përfshirë në sulmin me armë dhe një person mund të jetë rrëmbyer.
Sipas reporterëve lokalë, ushtria meksikane ishte e pranishme në resort pak momente pas të shtënave.


