Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimaj parashtroi sot shpenzimet buxhetore në vitin 2022. Ibrahimaj theksoi se Shqipëria nuk ka mbipunësime në administratë duke bërë një krahasim me vendet e rajonit dhe BE-së.
Ministria u shpreh se infrastruktura rrugore kombëtare është përfituesi kryesor i fondeve të investimeve publike për vitin 2022 me një vlerë prej 21.2 miliardë lekë.
“Doja të ndalesha në rritjen e numrit të punonjësve buxhetorë, ku parashikohen 83 mijë e 922 punonjës në vitin 2022. Kjo rritje me 182 persona vjen si fakt i shtimit të punonjësve në institucionet e reja të drejtësisë. Shqipëria ka pasur në 2020-ën 616 punonjës publik për 10 mijë banorë, ndërkohë që vendet e rajonit si Serbia kanë 690 punonjës publikë për 10 mijë banorë, Maqedonia e Veriut 638 për 10 mijë banorë. Po ta shtrijmë krahasimin me vendet e BE si Franca ato kanë 812 punonjës për 10 mijë banorë, Gjermania 580 për 10 mijë. Vendi ynë posedon një numër më të ulët se sa këto vende, Shqipëria ka një numër të ulët punonjësish publik në krahasim me rajonin. Nuk ka mbipunësim në këtë sektor. Po punohet për të reformuar sektorin e Ujësjellës-Kanalizimeve që të rritet efiçencës. Te shpenzimet për sigurimet shoqërore, sistemi do vazhdojë të mbështesë me të ardhura”, tha Ibrahimaj.
“Mesatarisht 744 e 792 mijë persona që përfitojnë pensione publike, suplementare. Rritja e përfitimit të pensionistëve sipas rritjes së indeksit të mallrave dhe konsumit, është llogaritur në 2.5 për qind duke filluar nga periudha prill e çdo vit. Bonusi i pensionistëve i parashikuar 3.5 miliardë lekë në çdo vit, përgjatë periudhës 2022-2024 nga e cila do përfitojnë 83 mijë pensionist në Republikën e Shqipërisë. Shpenzimet për kompensimin e pronarëve qëndrojnë në masën 5 miliardë lekë duke qëndruar angazhimit të qeverisë ndaj Gjykatës së Strasburgut për një dëmshpërblim të plotë të kësaj shtrese. Investimet publike janë parashikuar në masën 6.4 për qind të PBB-së, ose 119 miliardë lekë, ndërsa parashikohen të jenë në nivel mbi 5 për qind të PBB-së në vitet 2023/2024. Infrastruktura rrugore kombëtare është përfituesi kryesor i fondeve të investimeve publike për vitin 2022 me një vlerë prej 21.2 miliardë lekë, të përqendruar në projekte madhore si Unaza e Madhe e Tiranës, Rruga e Arbrit, Rruga Kardhiq-Delvinë, Tuneli i Llogarasë, apo Bypass-i i Shkodrës. Projektet në Ujësellës-Kanalizime do marrin 13, 8 miliardë lekë në vitin 2022, të përqendruara kryesisht në financimin e projekteve të iniciuara në vitet 2020/2021. Arsimi me shifër 3.6 për qind të PBB-së në vitin 2022 arrin një rekord në shpenzimet në termat relative”, u shpreh ministrja.


