Policia e Durrësit ka dhënë njoftim zyrtar lidhur me lëndën narkotike të kapur mbrëmjen e djeshme në portin e qytetit bregdetar. Në total është sekuestruar një sasi prej 45.5 kg heroinë ndërkohë që janë vendosur në pranga 2 persona.
Gjatë kontrollit të një kamioni tip “Scania” që drejtohej nga 36-vjeçari Olgert Duda, u gjetën të fshehura 43 pako të mbështjella me natriban brenda së cilës kishte heroinë.
Kamioni në pronësi të Arian Çermës, 45-vjeç banues në Durrës, ishte i ngarkuar me krom dhe kishte destinacion Italinë, aty ku do të shkonte dhe lënda narkotike.
Në përfundim të operacionit, policia ka arrestuar drejtuesin dhe pronarin e kamionit teksa po punon për identifikimin dhe goditjen e këtij rrjeti kriminal.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Portëz”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Operacioni nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit, e përbërë nga Policia Kufitare, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritetet doganore të Portit.
Sekuestrohet 45 kilogramë e 500 gramë lëndë narkotike e dyshuar heroine. Vihen në pranga 2 shtetas (pronari i mjetit dhe drejtuesi i mjetit).
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të drogave të forta, si rezultat i kontrolleve intensive dhe informacioneve të marra në rrugë operative nga strukturat hetimore për një sasi lëndë narkotike që do trafikohej drejt Italisë, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Portëz”, i zhvilluar nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit.
Në kuadër të operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: Olgert Duda, 36 vjeç, banues në Fier dhe Arian Çerma, 45 vjeç, banues në Durrës.
Task Forca permanente që operon në Portin e Durrësit, bazuar në informacionet e grumbulluara, ka ushtruar kontroll të imtësishëm në kamionët në hyrje dhe në dalje. Gjatë kontrollit në dalje në vijën e dytë, në kamionin tip “Scania” në pronësi të shtetasit A. Ç., që drejtohej nga shtetasi O. D. dhe i ngarkuar me krom, me destinacion shtetin italian, me konkretisht në kabinën e kamionit, u gjetën të fshehura 43 pako të mbështjella me natriban brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar heroinë, me peshë totale 45 kilogramë e 500 gramë.


