Një 21-vjeçar u nda nga jeta si pasojë e një komplikacioni për shkak të gripit.
Kyle Baughman, nga Pennsylvania, ishte një djalë i shëndetshëm dhe madje, synonte të bëhej trajner profesional palestre. Por një grip i zakonshëm i mori jetën duke alarmuar njerëzit.
Mamaja e Kyle-t akoma s’e beson që ndodhi. Nisi për Krishlindje, kur u kthye në shtëpi duke mos u ndier fort mirë. Simptomat u përkeqësuan kur pas pushimeve, u kthye në punë. Pak ditë më vonë, do të ndërronte jetë në spital, pasi organet nisën të keqfunksiononin.
Rasti u trajtua nga revista “Time”, që foli me mjekun Peter Shearer, nga spitali i New York City-t.
“Viruset mund të jenë një sëmundje shumë serioze”, shprehet ai, “Edhe pse shumica e njerëzve e kalojnë me ilaçe kundra gripit që s’kanë nevojë për recetë, ka njerëz që sëmuren rëndë.”
“Gripi ka rrezik të të çojë në infeksion bakterial, mund të përhapet në gjak dhe të shkatërrojë, të përhapet në të gjithë sistemin.”
Por çfarë duhet të bëjmë për të parandaluar ngjarje fatkeqe?
“Mos u bëni vetë mjekë”, thotë Shearer.
Ai këshillon një vizitë të menjëhershme tek mjeku i familjes brenda 48 orëve të nisjes së simptomave, si kolla, ethet, sekrecione të hundës, gojë të hidhur dhe dhembje trupi.
Por nëse je për t’iu nënshtruar një trajtimi, mos iu drejtoni urgjencës: mund të infektosh të tjerë dhe mund të jesh i ekspozuar ndaj viruseve më të forta se i yti.
Si dallohet nëse është një grip serioz?
Zakonisht, gripi zgjat 3-7 ditë dhe është i trajtueshëm me lëngje, pushim dhe ndonjë qetësues. Nëse simptomat zgjaten shumë dhe nëse ndjeni vështirësi në frymëmarrje, duhet të takoni menjëherë mjekun.