Nga Lucio Palmisano, Linkiesta
Një mace e sëmurë, trafikantë ndërkombëtarë droge, dhe një kryeministër i vendosur nën masa të rrepta sigurie. Kjo është një histori tejet “jo-holandeze” por që na vjen në fakt nga Holanda, ku kryeministri i vendit Mark Rutte ndodhet prej disa javësh nën një mbrojtje speciale, për shkak se ka marrë disa kërcënime serioze nga krimi i organizuar.
Sipas të përditshmes holandeze“De Telegraaf”, pranë kryeministrit holandez është vënë re prania e disa “vëzhguesve”, si një mënyrë për të kontrolluar objektivin. Kjo metodë është shumë e ngjashme me atë të përdorur në të kaluarën me avokatin Dierk Wiersum dhe gazetarin Peter R.de Vries, të cilët më vonë u ekzekutuan.
Për këtë arsye, Shërbimi Informativ i Qeverisë (RVD) ka forcuar masat mbrojtëse ndaj kryeministrit Rutte, që megjithatë ka vendosur të mos e ndryshojë stilin e tij të jetesës dhe të vazhdojë të udhëtojë me biçikletë, siç bëjnë në fakt shumë politikanë holandezë.
Vëmendja ndaj kësaj çështje është shumë e lartë. Për këtë arsye policia holandeze arrestoi fundjavën e kaluar Arnoud Van Doorn, për ta liruar pak ditë më vonë pa ngritur asnjë akuzë ndaj tij. Ky personazh është sigurisht i veçantë, siç dëshmohet nga anëtarësia e tij e mëparshme në PVV, partinë e ekstremit të djathtë të drejtuar nga Gert Wilders (që është gjithashtu nën mbrojtjen e policisë për shkak të kërcënimeve me vdekje), i larguar prej andej pak para konvertimit të tij në besimin islam në vitin 2012.
Ai iu bashkua Partisë për Unitet, një lëvizje e vogël islamike me tendenca fondamentaliste që nuk fitoi asnjë vend në parlament në zgjedhjet parlamentare të këtij viti. Edhe e kaluara e tij në raport me problemet me drejtësinë është shumë interesante.
Përballja e parë ishte në shkurtin e vitit 2014, kur Van Doorn u dënua me 40 orë shërbim në komunitet dhe një gjobë prej 1.000 eurosh për publikimin në media të dokumenteve sekrete, zotërimin e një arme të paligjshme, dhe shitjen e drogave së lehta për të miturit.
Gjykata e Apeli vendosi në majin e vitit 2015, me kërkesë të prokurorit të çështjes, rritjen e dënimit në 240 orë në shërbim të komunitetit, bashkë me një dënim me 3 muaj burg me kusht. Justifikimi i të akuzuarit ishte qesharak:“E shita drogën me synim kapjen e një shpërndarësi droge!”.
Në vitin 2018, Van Doorn u akuzua nga politikania e PVV Willie Dille, si porositës i përdhunimit të saj nga disa djem marokenë. Disa ditë më vonë Van Doorn dha një intervistë, në të cilën ai nuk e përjashtoi përdhunimin e Dille, duke argumentuar se “ka djem që janë të gatshëm ta bëjnë një gjë të tillë në rast se u kërkohet”.
Gjykatat e vendit e njohin shumë mirë këtë personazh, siç dëshmohet edhe nga kërkesa e gjykatës së Hagës vetëm 2 javë më parë, për dënimin e ri prej 120 orësh shërbim në komunitet për disa postime në rrjetet sociale kundër popullit izraelit.
Hetimet zbuluan se ai drejtonte liceun islamik“Cornelius Haga” në rrugën e radikalizimit. “Unë isha atje pasi po çoja tek mjeku veteriner macen e sëmurë të nënës sime. Më pas ndalova për të pirë një kafe në barin para palestrës ku stërvitej Mark Rutte”- ky ishte justifikimi i Van Doorn para policisë që e pyeti për lëvizjet e tij të dyshimta.
Sipas avokatit të tij, shërbimet sekrete kanë rënë pre e paranojës, duke identifikuar personin e gabuar. Për momentin, historia përfundon këtu. Pas kërcënimeve ndaj Rutte qëndron mafia. Por jo ndonjë mafia dosido, por “Mocro Maffia”, një organizatë kriminale e krijuar në Marok, dhe e specializuar në trafikun e drogës në të gjithë Evropën, falë miqësisë me kartelet kolumbiane dhe meksikane të drogës, që shesin mallin e tyre në portet e Antverpit, Roterdamit dhe Algesiras në Spanjë.
Në krye të saj është Riduan Tagi, i arrestuar në vitin 2019 në Dubai, dhe aktualisht i burgosur në burgun e sigurisë maksimale Niu Voseveld në Vugt, në jug të Holandës, duke pritur daljen në gjyq bashkë me gjykimin me 16 pjesëtarë të grupit të tij.
Një fat të ngjashëm ka pasur edhe Said Razzouki, krahu i tij i djathtë, që aktualisht është në një burg të Bogotas në Kolumbi, në pritje të ekstradimit për në Evropë. Sipas hetuesit holandez Pieter Tops, mafia marokene fiton 20 miliardë euro çdo vit nga trafikimi i drogave ekstazi dhe amfetaminës, shumë së cilës duhet t’i shtohen edhe të ardhurat nga kokaina.
Prandaj nuk është rastësi që gjatë 10 viteve të fundit,“Mocro Maffia” ka shkuar përtej kufijve klasikë të Beneluksit (Holandë, Belgjikë, Luksenburg), duke arritur në Kosta del Sol në Spanjë, Amerikën e Jugut, madje edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke e rritur me 18 herë volumin e të ardhurave tësaj, siç dëshmohet nga 65 ton drogë të kapura nga autoritetet doganore të Antverpit në vitin 2020, një sasi që është padyshim më e lartë se sa vetëm 5 ton në vitin 2009.
Një rritje eksponenciale, e cila nuk mund të kalonte pa u vënë re. Zgjerimi i madh i aktivitetit të kësaj organizate gjatë dekadës së fundit është shoqëruar me një seri vrasjesh brenda dhe jashtë qarqeve të krimit të organizuar.
Viktima e fundit ishte gazetari investigativ Peter de Vries, i qëlluar në kokë teksa po dilte nga studiot e TV Bulevard RTL korrikun e këtij viti. De Vries ishte marrë prej vitesh me rastet më të rëndësishme të krimit të organizuar në Holandë.
Bashkëpunëtori i drejtësisë Nabil Bakkali, ka folur mbi të gjitha vrasjet e kërkuara personalisht nga Taghi. Në vitin 2018, menjëherë pas shpalljes së bashkëpunimit me drejtësinë, u vra vëllai i tij 24-vjeçar, ndërsa në vitin 2019 ishte radha e avokatit të tij, Derk Wiersum.
De Vries ishte ndërkohë këshilltar juridik i motrave Astrid dhe Sonja Holleeder në gjyqin kundër vëllait të tyre William Holleeder, një kriminel i njohur për rrëmbimin e prodhuesit të madh të birrës Freddy Heineken në vitin 1983, dhe që tani ndodhet në burg për bashkëpunim në vrasjen e kunatit të tij.
Janë 17 të pandehur në gjyqin “Marengo” që po zhvillohet aktualisht. Të gjithë nën 40 vjeç dhe që vijnë nga familje marokene ose nga ish-kolonitë holandeze. Sipas prokurorit të çështjes, “Mocro Maffia”është përgjegjëse për të paktën 9 vrasje të kryera midis viteve 2015-2018. Fjala e fundit u takon gjykatësve


