20.000 euro ka vënë në dispozicion Policia e SHtetit për kapjen e 21 vjeçarit Aldo Rama. Veç Forcave Speciale që po kërkojnë nga toka, i riu i cili paraditen e sotme qëlloi për vdekje efektivin e Antidrogës Saimir Hoxha, Policia ka ngitur në Kune-Vain dhe një helikopter.
“Për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në lokalizmin dhe kapjen e autorit, shtetasit Aldi Rama, 21 vjeç, Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion 20 mijë euro, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe të sigurt. Për informacione të vlefshme, qytetarët të telefonojnë në numrin 0694110853”, njofton Policia.
Në zonën e Kune-Vainit është ngritur në patrullim dhe një helikopter i Ministrisë së Brendshme, për të kontrolluar nga ajri zonën dhe për të lokalizuar autorin. Ky i fundit është larguar me makinë nga vendngjarja dhe pas afro 1 kilometër, e ka braktisur atë.
Të gjitha patrullat kanë tashmë në dorë foton e Aldo Ramës dhe nëse e konstatojnë duhet të bëjnë prangosjen e tij. Ndërkohë, në kërkim është shpallur dhe vëllai i autorit të dyshuar, Selim Rama. Nuk dihet roli i këtij të fundit në këtë ngjarje, por si autor kryesor të ngjarjes grupi i hetimit ka identifikuar shtetasin Aldo Rama, me origjinë nga Elbasani.
“Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet intensive me pika kontrolli të lëvizshme, kontrolle në banesa, lokale e ambiente të ndryshme, si dhe po vijon krehja masive e territorit, për të bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së oficerit të Policisë, i cili ishte duke kryer detyrën. Krahas punës intensive për kapjen e autorit, Policia e Shtetit kërkon ndihmën dhe bashkëpunimin e qytetarëve, për të bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e tij”, vijon njoftimi.


